Muzetë e Kalasë në Shkup pritet të përfundojnë në shkurt ose mars, njoftoi ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov në një brifing me gazetarët. Ai tha më 25 korrik se Kalaja ka qenë në një gjendje të lënë pas dore dhe të shkatërruar për 10 vjet dhe njoftoi se me 8 milionë denarë (rreth 130,000 euro) që do të sigurohen nga ribalancimi i buxhetit, dy muzetë do të rindërtohen dhe do të punohet për rehabilitimin e saj për t’u bërë një atraksion turistik, transmeton Portalb.mk.
Duke folur për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ministri tha se aktivitetet në Kala dhe muzetë e vendosura në këtë kompleks po zbatohen intensivisht.
“Punimet janë në një fazë të avancuar dhe përfundimi i tyre i plotë pritet deri në shkurt ose mars të vitit të ardhshëm. Përveç pajisjes së muzeve, do të zhvillohet një proces tjetër paralel për instalimin e pajisjeve urbane dhe ndriçimit në Kala”, tha ai.
Në vitin 2011, filloi ndërtimi i tre muzeve – për parahistorinë, periudhën osmane dhe periudhën mesjetare, por deri më sot ato nuk janë hapur dhe as hapësira nuk është rregulluar.
Tetorin e kaluar, drejtoresha e Departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva, tha se muzetë e ndërtuara plotësisht të destinuara për shfaqjen e objekteve arkeologjike nga periudhat parahistorike dhe osmane janë lënë pas dore plotësisht, dhe dëmtimet e pjesshme janë të dukshme, ndërsa muzeu i destinuar për shfaqjen e objekteve arkeologjike nga periudha mesjetare, i cili nuk është zgjeruar, është plotësisht i mbuluar me bimësi.
Ljutkov thotë se pritet që në vitin 2028, kur Shkupi do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës, Kalaja të jetë një nga hapësirat më të përdorura.
Muzeu i parahistorisë, i cili zbret tre kate nën tokë ishte i mbuluar me bimë. Muzeu i dytë i kushtuar periudhës osmane nuk u hap asnjëherë edhe pse u përfundua. Objekti në formë kishe, e cila u bë shkak për tensione politike dhe etnike në vitin 2011, mbeti i papërfunduar. Për të janë shpenzuar rreth 1,7 milionë euro.
Artefaktet arkeologjike edhe krahas vlerës së tyre mbahen ende në magazina, pa kushte për ekspozim. Pa një status të zgjidhur për ambientet e muzeut ato mbeten larg syve të publikut – si thesar pa pronar.
Në vitin 2019 u organizua një konkurs ndërkombëtar për një zgjidhje arkitektonike dhe urbanistike për zonën përreth Kalasë. U dorëzuan 17 ide, por asnjë nga ato nuk është realizuar. Edhe krahas mbështetjes nga Bashkimi Evropian kjo iniciativë humbi në labirintin administrativ.
Me 8 milionë denarë (rreth 130,000 euro) që u siguruan nga ribalanci i buxhetit, dy muzetë e Kalasë në Shkup po të rindërtohen dhe po të punohet në sanimin e saj për t’u bërë një atraksion turistik.
Në lidhje me nismën e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për investime në Kalanë e Shkupit, reagoi Bashkimi Demokratik për Integrim. Ata kërkuan që të mbrohet Kalaja e Shkupit nga ndërhyrjet që rrezikojnë autenticitetin e saj, duke e shndërruar Kalanë në arenë për përfitime politike.
Pas reagimit të Aleancës së Ziadin Selës dhe BDI-së së Ali Ahmetit, reagoi edhe Aleancë e Arben Taravarit, duke thënë se Izet Mexhitit nuk mund të mbrojë, pasi është i zhytur në bixhoz e ndërtimet të egra në Çair.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhiti reagoi më pas, duke vënë theksin te nevoja për mbrojtjen e saj nga ndërtime politike dhe përdorimi i saj për përfitime të ulëta. Ai theksoi se Kalaja nuk do të lejohet më të shndërrohet në arenë ndarjesh apo përçarjesh, por do të rikthehet në një hapësirë dinjitoze që pasqyron barazinë dhe identitetin multietnik të qytetit.
Punimet në Kalanë e Shkupit nxitën probleme ndëretnike në dekadën e kaluar, kur partia në pushtet VMRO DPMNE incioi ndërtimin e tre objekteve, të cilat u kontestuan nga shqiptarët sepse ishin objekte monetnike dhe monofetare. Për shkak të tensioneve që u krijuan nga protestat asokohe, Kalaja si hapësirë historike dhe turistike mbeti e mbyllur me vite.