Murtezani në Bruksel: Prioritetet kyçe të RMV-së janë reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe liria e mediave

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Bruksel mori pjesë në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GAK).  Kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia të përfshihen në Raportin e Komisionit Evropian për sundimin e së drejtës, duke ju ofruar mundësinë ministrave të vendeve kandidate në mjedis gjithëpërfshirës, së bashku me ministrat e vendeve anëtare të Unionit, të shkëmbejnë mendime për çështjet lidhur me sundimin e së drejtës. Murtezani përshkroi prioritetet kryesore të reformave të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

  • Reformat në Gjyqësorë: Maqedonia e Veriut ka bërë progres të konsiderueshëm në reformat gjyqësore, duke u fokusuar në pavarësinë, efikasitetin dhe profesionalizmin. Strategjia jonë e zhvillimit të sektorit për drejtësi (2024 – 2028), dhe Plani i veprimit për zbatimin e strategjisë së zhvillimit të sektorit për drejtësi (2024 – 2028), do t’i thellojë këto përpjekje, me fokus në rishikimin e legjislacionit gjyqësor në përputhje me rekomandimet e misionit vlerësues. Ne jemi të përkushtuar për të rritur transparencën, përgjegjshmërinë dhe integritetin brenda sektorit gjyqësor, ndërkohë që po ashtu përmirësojmë pavarësinë e tij financiare dhe digjitalizimin. Rikthimi i besimit të publikut në gjyqësor, është parësor.
  • Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet më të larta, mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Pavarësisht rreziqeve të pranishme të korrupsionit,  jemi duke zhvilluar në mënyrë aktive Kodin e ri Penal në përputhje me standardet e BE-së. Po ndërtojmë gjithashtu kapacitete për zbatimin e ligjeve, vendosim korniza për kthimin e pronës dhe përmirësimin e të dhënave të hetimit, ndjekjet penale dhe konfiskimet në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Institucionet e fuqishme dhe profesionale janë thelbësore për të garantuar drejtësinë, pavarësisht se kush e ka pushtetin vendimmarrës.
  • Liria dhe Pluralizmi Mediatik: Përkushtimi ynë në sferën e lirisë së mediave është i palëkundur, por njohim nevojën për të krijuar mjedis edhe më të favorshëm për gazetarët. Prioritetet tona përfshijnë harmonizimin e kornizës tonë ligjore për mediat online, sigurimin e pavarësisë së transmetimit tonë nacional dhe përforcimin e mbrojtjes ligjore dhe të drejtave të punës së gazetarëve. Gjithashtu jemi të përkushtuar edhe në luftën kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme, si dhe sigurimin e hetimeve të shpejta për sulmet ndaj punonjësve të mediave. Mjedisi ynë mediatik duhet të jetë udhërrëfyes për dialogun demokratik, por njëkohësisht duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e jashtme.
  • Përforcimi i institucioneve demokratike: Jemi të angazhuar për përforcimin e procesit tonë demokratik, përmes përforcimit të mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj pushtetin ekzekutiv, duke e rritur transparencën dhe duke siguruar llogaridhënie më të larë në institucionet shtetërore. Reformat kyçe legjislative, siç janë ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit, do të harmonizohen me parimet e Parisit dhe Venecias, duke siguruar funksionimin efikas të mekanizmit të kontrollit civil. Më tej, jemi të përkushtuar për zgjerimin e të drejtave të pakicave dhe grupeve të rrezikuara, në përputhje me Udhërrëfyesin tonë për sundimin e së drejtës.
Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian (GAK). Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane
Ministri Murtezani, në takim, përshëndeti vendimin për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në Mekanizmin e BE-së për sundimin e së drejtës, i cili do të sigurojë rrugë të qartë për ndjekjen dhe vlerësimin e progresit tonë drejt harmonizimit me standardet e BE-së, duke siguruar që ne i përmbushim përcaktimet demokratike dhe përcaktimet për sundimin e së drejtës të domosdoshme për anëtarësim në Union.

“Përfshirja jonë në Mekanizmin e BE-së për sundimin e së drejtës shënon një hap kritik në integrimin tonë të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Duke shikuar përpara, kërkojmë pjesëmarrjen e plotë të vendeve kandidate në këtë mekanizëm, duke përfshirë rekomandimet e detajuara dhe monitorimin, të cilat do të kontribuojnë në harmonizimin e shpejtë me standardet evropiane. Kjo jo vetëm që do të përmirësojë kornizën tonë për sundimin e së drejtës, por edhe do të lehtësojë integrimin më të thellë në menaxhimin e sistemit ekonomik  evropian -dy procese  të  cilat medoemos duhet  të  zhvillohen ndërthorazi”, tha Murtezani.

Ai tha se procesi i aderimit në BE nuk është vetëm prioritet i zakonshëm, por është ndër prioritetet kryesore për qeverinë e re, krahas zhvillimit ekonomik. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të zbatuar reformat e nevojshme për të transformuar shoqërinë tonë në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së, veçanërisht në katër fushat kyçe të sundimit së  drejtës: gjyqësorit, përpjekjet kundër korrupsionit, liria e medias dhe kontrollet dhe balancat institucionale.

Në Raportin e sundimit të së drejtës për vitin 2024, raporti ynë i parë nën mekanizmin e BE-së, theksohet progresi i rëndësishëm që tanimë kemi arritur. Megjithatë, në Raport gjithashtu theksohen fushat ku nevojitet përmirësim i mëtejshëm, veçanërisht në përforcimin e kornizave tona ligjore dhe institucioneve. Këto gjetje përputhen me Raportin e Skrining-ut (shqyrtimit) të Vlerave Fundamentale dhe Raportin Vjetor të Komisionit Evropian. Si përgjigje, thonë nga MÇE hartojnë në “mënyrë proaktive reforma të reja, të përfshira në Udhërrëfyesin tonë për sundimin e së drejtës dhe Agjendën tonë Reformuese 2024-2027, sipas Planit të Rritjes të Ballkanit Perëndimor”.

Kujtojmë se Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, vendin e vlerësoi pa asnjë përparim në fushën e korrupsionit. Edhe atëherë, lidhur me ndryshimet e Kodit Penal u tha se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla.

Pa përparim edhe gjyqësori u vlerësua atëkohë dhe u kërkua që Këshilli Gjyqësor të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe  t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm.

Eurointegrime Negociata RMV-BEMinistria për Çështje Evropiane (MÇE)Orhan MurtezaniRaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë