Mungon interesimi i lexuesve në Panairin e Librit “Tetova 2024”

Vijon të jetë i hapur Panairit të Librit “Tetova 2024” në Qendrën Tregtare Pallma Mall në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Në këtë panair marrin pjesë shtëpitë botuese: “Nobel”, “Fan Noli”, “Logos A”, “Shkupi”, “Pema”, “Furkan”, “Prizreni”, “Pena”, “Shkelzen Zalli”, “Asr”, “Litera Group” dhe “Ars Lamina”.

Azam Dauti kryetar Shtëpisë Botuese “Shkupi” për Portalb.mk tha se në këtë panair libri, kanë paraqitur rreth 30 tituj të rinj që janë botuar dy vitet e fundit dhe mbi 70 tituj të tjerë, që janë botuar 4-5 vitet e fundit. Mirëpo krahas gjithë këtyre titujve interesimi i lexuesve ka munguar.

“Fatkeqësisht, këto tre ditët e para, interesimi për ta vizituar këtë panair libri, e që është më ekskluzivja në Tetovë, interesimi i lexuesve shqiptarë ka munguar. Meqë Panairi i librit “Tetova 2024” do të mbahet deri më 5 janar 2025, shpresojmë, që ditëve në vijim ky interesim të jetë më i theksuar. Të shpresojmë, që këto libra të rinj që i ofrojnë këta 10-15 botues që marrin pjesë në këtë Panair, si dhe Libraria NOBEL, e cila ka libra të botuesve kryesor shqiptar, shpresojmë që të jenë në duart e lexuesve tanë”, tha Dauti.

Pamje nga Panairi i Librit “Tetova 2024”. Foto: Azam Dauti

 

Ai shtoi se nuk mund të jenë të kënaqur në asnjë mënyrë për vlerësimin e panaireve të librit në vendin tonë. Megjithatë, ai shtoi se ky trend i rënies së panaireve si treg i librit, ka rënie pothuaj se në gjithë botën. Kjo, sipas tij ndodh për shumë arsye.

“E para, që nga pandemia e këndej, në botë është zhvilluar shitja e librave online. E dyta, panairet e librave vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, gjithnjë e më shumë po e marrin karakterin tjetër të rëndësishëm, që është takimet dhe bashkëpunimet e drejtpërdrejta ndërmjet autorëve, botuesve, agjencive autoriale, por edhe shumë segmenteve të tjera që janë të lidhura me botimin e librave, siç janë përkthyesit, përgatitësit e kopertinave dhe brendisë, shpërndarësit e librave, libraritë, etj. Në përgjithësi, nuk ka shumë hapësirë për zhgënjim, sepse mos vizita dhe mos shitja e librave është një dëshpërim momental i botuesve që marrin pjesë nëpër Panaire të ngjashme si ky në Tetovë, mirëpo çdo paraqitje e librit kudo në hapësirat tona, megjithatë është një ecje para, që shpresojmë ta gjej rrugën më të shkurtër tek lexuesi ynë”, tha Dauti.

Panairi i Librit mbahet nën organizim të Librarisë “Nobel”.

Kultura shqiptareKulturë lajmePanairi i Librit Tetovë