MPB për vrasjen në Tetovë: Bastisje në tri lokacione, sende të sekuestruara dhe një person i arrestuar

MPB dhe Byroja për siguri publike kanë ndërmarrë masa për gjetjen e personit për të cilin ekziston dyshimi se është autor i mundshëm në lidhje me ngjarjen në të cilën më 07.05.2024 në Tetovë, një person i cili ka qenë në mjetin “Mercedes” ka shtënë në drejtim të mjetit “BMW” në të cilin ndodhej personi me iniciale R.T (39), i cili ka ndërruar jetë lëndimet e marra, transmeton Portalb.mk.

“Me urdhër të Gjykatës Themelore të Tetovës janë kryer bastisje në tri lokacione në fshatin Gajre, nga të cilat janë sekuestruar sende që mund të jenë të dobishme për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa një person është ndaluar në Stacionin Policor të Tetovës për intervistë informative. Veprimet e përgjithshme ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Publike kompetente dhe në të gjithë rastin nga momenti i parë janë të përfshirë zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë për Krime në BSP”, njoftojnë nga MPB.

Sipas informatave jozyrtare, vrasja ka të bëjë me rastin e krismave që ndodhën më 11 janar 2024 ku para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë.

Policia aso kohe tha se për këtë rast janë të dyshuar pesë persona, katër prej të cilëve u arrestuan.

Në lidhje me këtë rast, të shtëna pati edhe më 11 prill 2024, por nuk pati të lënduar.

Byroja për Siguri Publike RMV (BSP)Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSPB TetovëVrasje - Ekzekutim