Gjatë vitit 2025, tradicionalisht si gjithmonë, paraqitësi më i madh i kallëzimeve penale në Prokuroritë Publike është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila nga gjithsej 19.976 persona ka kallëzuar 14.422 persona ose 72,2 % të numrit të përgjithshëm të kallëzimeve të paraqitura, thuhet në Raportin e Punës për vitin 2025 të Prokurorisë Publike të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
Në Raport thuhet gjithashtu se nga kallëzimet penale të pranuara dhe të zgjidhura në vitin 2025, Prokuroria ka hedhur poshtë plot 42 përqind të numrit të përgjithshëm, por nuk i kategorizon veçmas sipas paraqitësve për të parë se ato mijëra kallëzime penale të hedhura poshtë, të cilat nuk kanë qenë të mbështetura me prova, në pjesën më të madhe janë të MPB-së. Vetëm për këtë nuk ka tabelë.
Arsyeja më e shpeshtë për hedhjen poshtë të përqindjes së lartë të kallëzimeve që MPB i paraqet në Prokurori është se “nuk ka bazë ligjore për të nisur procedurë para gjykatës se një person është autor i një vepre të caktuar penale”.
Ka rënie të kallëzimeve penale të paraqitura nga qytetarët dhe kompanitë në krahasim me vitin 2024. Në vitin 2025 kishte 2.290 qytetarë që paraqitën kallëzime penale në Prokurori, ndërsa në vitin 2024 – 2.753. Në vitin 2025 kallëzime paraqitën 538 kompani, ndërsa në vitin 2024 – 820 kompani raportuan kriminalitet në Prokurori.
Kallëzimet penale të paraqitura nga organet e tjera, Policia Financiare, Dogana, inspektoratet dhe të tjerë, janë mezi shifra treshifrore. Në raport, megjithatë, konkludohet se „ka tendencë të rritjes së funksionit të zbulimit dhe raportimit nga ana e organeve shtetërore, si dhe tendencë të rritjes së procedurave të hapura me iniciativë të prokurorit publik dhe të ashtuquajturit zëra të ngritur“, por nga këto nuk ka as 1.000 në vitin 2025.
Në vitin 2025, nga MPB në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) janë paraqitur kallëzime kundër 562 personave ose 48,5 % nga gjithsej 1.159 persona të kallëzuar në atë prokurori. Krahasuar me vitin 2024, kur MPB në PTHP NKOK kishte paraqitur kallëzime kundër 325 personave, në vitin 2025 ka rritje të numrit për 237 persona ose 73 % më shumë.
Në vitin raportues 2025, nga gjithsej kallëzimet penale të zgjidhura kundër 20.247 personave, në bazë të nenit 288, nenit 43 dhe nenit 44 të Ligjit për Procedurën Penale (LPP), janë hedhur poshtë, përkatësisht nuk është ndërmarrë ndjekje penale kundër gjithsej 8.554 personave ose 42,2%.
Krahasuar me vitin 2024, ishin hedhur poshtë kallëzime kundër gjithsej 8.805 personave ose 43,6%, që do të thotë se në vitin 2025 ka një ulje të vogël prej 251 personash.
Në vitin raportues 2025, nga gjithsej 8.554 kallëzime penale të hedhura poshtë, sipas nenit 288 të LPP-së janë 6.975 persona ose 81,5 %, sipas nenit 43 të LPP-së janë 1.391 persona ose 16,3 % dhe sipas nenit 44 të LPP-së janë 188 persona ose 2,2 %.
Neni 288 i Ligjit për Procedurën Penale (LPP) në thelb do të thotë se nuk ka bazë ligjore për të nisur procedurë para gjykatës se një person është autor i një vepre të caktuar penale. Neni 43 parashikon ndjekjen e shtyrë dhe rezulton me nxjerrjen e një vendimi me të cilin nuk fillohet procedura, ndërsa i treti është sipas nenit 44 të LPP-së, i cili përcakton kompetencën e prokurorit publik për të zbatuar parimin e oportunitetit, që është përjashtim nga parimi i ligjshmërisë së ndjekjes penale dhe rezulton me nxjerrjen e një vendimi me të cilin nuk fillohet procedura.
Sipas vendimeve të prokurorisë publike, personat e dyshuar në procedurën e ndjekjes së shtyrë sipas nenit 43 të LPP-së kanë paguar në dobi të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut 18.119.033 denarë (mbi 290.000 euro), ndërsa për qëllime humanitare në organizata dhe institucione të autorizuara kanë paguar 759.100 denarë (mbi 12.000 euro).
Kujtojmë se të dhënat e raportit vjetor për vitin 2025 të MPB-së, tregojnë se në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 290 vepra penale me elemente korrupsioni dhe 678 persona të kallëzuar, me dëm të shkaktuar që vlerësohet në mbi 23.67 miliardë denarë. Raporti thekson goditjen e katër grupeve të organizuara kriminale me veprimtari korruptive, ku janë përfshirë 120 persona fizikë dhe 18 persona juridikë. Gjatë vitit janë realizuar gjithsej 180 raste hetimore në fushën e korrupsionit, ndërsa numri i veprave penale të zbuluara ka shënuar rritje prej 40.8% krahasuar me vitin paraprak. Rritje është regjistruar edhe në numrin e përgjithshëm të rasteve të trajtuara dhe të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.