Mjedisi jetësor as këtë vit nuk ishte një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së theksohet se vendi nuk është harmonizuar plotësisht me disa direktiva nga legjislacioni evropian dhe në periudhën e kaluar nuk ka bërë shumë punë për ta ndryshuar këtë gjë. Nuk ka përmirësim as sa i përket kapaciteteve të institucioneve, mbrojtja e ajrit po stagnon, ndërsa ekonomia qarkulluese, ndarja dhe riciklimi i mbeturinave mbeten angazhime vetëm në letër. Procesi për rishpalljen e Liqenit të Ohrit, Studençishko Bllatos dhe Matkës ende nuk është finalizuar, por raporti thekson se zonat tashmë të mbrojtura ekzistuese vuajnë edhe nga mungesa e financimit të qëndrueshëm dhe kapaciteteve administrative për menaxhim, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.
Mungesa e kuadrove të specializuar dhe kapacitetet e dobëta institucionale dhe administrative, sipas raportit për progresin e vendit, ka si pasojë miratimin e projekteve infrastrukturore pa parashikuar paraprakisht ndikimin e tyre në mjedisin jetësor. Në këtë aspekt, nuk ka ndryshime të mëdha as edhe pas miratimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektoriale që u bë në muajin prill të vitit 2022, e nga i cili pritej mbrojtje më e madhe e mjedisit jetësor.
“Qasja në drejtësi për çështjet nga fusha e mjedisit jetësor është praktikisht inekzistente, ndërsa qasja e lirë në informacion gjithashtu është e dobët. Ekziston një qendër Arhus e cila nuk është plotësisht funksionale dhe ofron të dhëna dhe informacione të vjetruara. Maqedonia e Veriut duhet të sigurojë edhe që monitorimi i mjedisit jetësor t’i përmbushë standardet e BE-së”, thuhet në Raportin e KE-së.
Është theksuar se është bërë progres shumë i kufizuar në drejtim të cilësisë së ajrit dhe se duhet të përmirësohet sistemi ekzistues i monitorimit. Për sa i përket trajtimit të mbeturinave, edhe pse korniza aktuale ligjore dhe politike është kryesisht në përputhje me ligjet e BE-së, zbatimi vazhdon të jetë një sfidë e rëndësishme. Në raportin e KE-së thuhet se ndarja dhe riciklimi i mbeturinave komunale është në nivel joadekuat, si dhe se deponimi është ende metoda dominante e menaxhimit të mbeturinave në vend, ndërkohë që si pozitive theksohet përgatitja e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Mbeturinave. Parimet e ekonomisë qarkulluese janë përfshirë në legjislacionin kombëtar për menaxhimin e mbeturinave, por ende mungon progresi konkret për shkak të ndërgjegjësimit të kufizuar të palëve të interesuara, mbështetjes së pamjaftueshme financiare dhe mangësive infrastrukturore. Sa i përket reagimit të vendit ndaj ndryshimeve klimatike, raporti i KE vë në dukje se nuk është bërë asnjë përparim. Nuk është miratuar Ligji i Veprimit Klimatik, ndërsa vendi deri në fund të vitit 2025 do të duhet të vendosë një taksë për karbonin.
“Është koha që qeveria të fillojë ta konsiderojë mjedisin jetësor si një nga prioritetet e saj. Kjo sidomos vlen për disa çështje akute si trajtimi i mbeturinave dhe cilësia e ajrit dhe ujit, por sigurisht që vëmendje duhet t’i kushtohet edhe të gjitha çështjeve të tjera të këtij kapitulli. Është shumë i rëndësishëm edhe miratimi i ligjeve që me vite kanë ngecur, si ato për veprimin klimatik, ujin, natyrën apo ndotjen industriale, ashtu edhe për fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal”, thotë Bojana Stanojevska-Pecurovska nga Qendra për Ndryshime Klimatike.
Kur bëhet fjalë për menaxhimin e ujërave, korniza ligjore dhe politike në masë të madhe është zbatuar dhe është krijuar një Regjistër Kombëtar i Ujërave Nëntokësore, por ai nuk është i disponueshëm për publikun. Vendi ende po përballet me shumë sfida kur bëhet fjalë për furnizimin cilësor me ujë, për humbjet e ujit, për rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe trajtimin e ujërave të zeza. Ende pritet miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e natyrës, si dhe rishpallja përfundimtare e disa zonave të mbrojtura shumë të rëndësishme si liqeni i Ohrit, Studençishko Bllato dhe Matka. Në periudhën e kaluar nuk u miratua as Ligji për Ndotjen Industriale, ndërsa nuk ka progres as në fushën e ndotjes kimike dhe akustike.
Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.