Mitreski në dy vjetorin e agresion rus ndaj Ukrainës: Mbështetja për Ukrainën është mbështetje për ruajtjen e paqes në Evropë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk, qëndron për vizitë njëditore në Ukrainë, në evenimentet kushtuar përvjetorit të dytë nga fillimi i agresionit ushtarak rus me përmasa të mëdha në territorin e Ukrainës, transmeeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij para deputetëve ukrainas Mitreski e konfirmoi mbështetjen dhe solidaritetin e vendosur, të qartë dhe vendimtar për Ukrainën, institucionet ukrainase dhe popullin ukrainas dhe theksoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë, dhe mbeten me qytetarët e Ukrainës për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që është e domosdoshme.

“Sot, më 24 shkurt, jemi këtu në Kiev për të dërguar mesazhe të forta paqeje, mirëkuptimi, tolerance dhe respekti për njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë për të dërguar mesazh po aq të fortë se bota demokratike është e bashkuar në mbështetjen e Ukrainës në luftën për drejtësi, mbrojtje të territorit të saj dhe mbrojtje nga orekset perandorake të fqinjit të saj”, theksoi Mitreski. Ai konsideroi se agresioni rus kundër Ukrainës është paralajmërim për të gjithë se paqja, pavarësia dhe liria nuk duhet të merren si të mirëqena. “Por, e gjithë kjo e keqe, gjithë kjo padrejtësi, nuk e shkatërroi shpirtin e Ukrainës, nuk e shkatërroi vullnetin e popullit të guximshëm ukrainas për t’i rezistuar këtij agresioni dhe për të luftuar për sovranitetin territorial të vendit të vet dhe për të ardhmen e tyre të pavarur dhe të lirë”, shtoi ai.

Mitreski, tha se ky agresion kundër Ukrainës është paralajmërim për të gjithë ne se paqja, pavarësia dhe liria nuk duhet të merren si të mirëqena nga askush prej nesh. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse për dy vitet e fundit bota demokratike është bashkuar dhe ka qëndruar fuqishëm pas Ukrainës dhe popullit ukrainas në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të tyre territorial.

“Vuajtja e Ukrainës e bashkoi Evropën, e bashkoi botën, e cila i dha Ukrainës mbështetje të parezervë nga çdo aspekt, ushtarak, logjistik, moral. E gjithë kjo krijoi mburojë të fortë për të mbrojtur paqen dhe të drejtat e Ukrainës. Evropa, BE-ja, SHBA-ja dhe vendet e tjera demokratike në botë e kuptuan shumë shpejt se në Ukrainë po mbrohet rendi paqësor evropian dhe se nëse agresioni rus në Ukrainë do të ketë sukses, atëherë vendet e tjera do të jenë gjithashtu objektivi i ambicieve perandorake të Moskës”, tha ai.

Kryeparlamentari më tej ka shtuar se, këto janë kohë vërtet të vështira për Ukrainën, por edhe për të gjithë botën demokratike. Për këto arsye, mbështetja për Ukrainën, tha ai, është mbështetje për ruajtjen e paqes në Evropë, por edhe në botë.

“Nëse nuk rezistojmë së bashku dhe nëse nuk e mposhtim këtë agresion, agresioni do të na arrijë të gjithëve, pavarësisht nëse do të jetë në mënyrë konvencionale apo në mënyrë jokonvencionale. Kërcënimi është serioz dhe kërcënimi është për të gjithë ne. Prandaj është e nevojshme që të gjitha forcat demokratike të qëndrojnë së bashku, siç kemi qenë që nga dita e parë e agresionit, në mënyrë që jo vetëm Ukraina, por edhe e gjithë Evropa, të jetojë në prosperitet dhe paqe dhe të mendojë për mirëqenien e qytetarëve të saj. Do të jetë gjëja më e vlefshme që mund t’ua lëmë brezave të ardhshëm. Jeta në paqe dhe garë në dije, ekonomi, art”, shtoi Mitreski.

Ai po ashtu shprehi bindjes se, si deri më tani gjatë historisë, këto vlera do të mposhtin agresionin dhe se së shpejti së bashku do t’i lëmë pas vetes këto momente të errëta dhe se do të thellojmë bashkëpunimin tonë dhe do të bisedojmë për vlerat që për qytetarët e Ukrainës, por edhe për të gjithë ne do të nënkuptojnë standard më të mirë jetësor, prosperitet dhe zhvillim, bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor.

Lufta në UkrainëParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut