Ministrja për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska, ka premtuar se nuk do të ketë largim të arsimtarëve nga vendet e punës për shkak optimizimit të shkollave, transmeton Portalb.mk.
“Asnjë mësimdhënës nuk do të largohet nga puna gjatë optimizmit të rrjetit shkollor. Në ligj ne kemi parashikuar mundësi për ata mësimdhënës që mbeten pa nxënës, me pëlqimin e tyre për t’u punësuar si asistentë arsimorë për një periudhë prej një viti. Asgjë nuk bëhet me forcë, ekskluzivisht në mënyrë transparente, me pëlqimin e stafit mësimdhënës dhe në bashkëpunim me komunat, UNICEF-in dhe Bankën Botërore”, deklaroi ministrja Janevska, duke theksuar se në vend mesatarisht kemi një mësues për 11.4 nxënës.
Janevska deklaroi se procesi i optimizimit ishte dashur të kryej nga qeveria e kaluar e LSDM-së. Ajo theksoi se vetëm 12 përqind e nxënësve mësojnë në shkollat rajonale, edhe pse dy të tretat e gjithë objekteve shkollore janë shkolla rajonale.
Ministrja gjithashtu theksoi se në 20 vitet e fundit është ulur numri i nxënësve për 28 përqind, ndërsa ai i mësuesve është rritur për 46 përqind.
“Në rreth 100 objekte shkollore, studiojnë më pak se 5 fëmijë. Ne duhet t’i integrojmë ata në shkolla më të mëdha, për një socializim dhe arsimim më të madh në kushte më të mira”, deklaroi Janevska, duke vlerësuar se komunat do të kursejnë mjetet që do të shfrytëzohen për infrastrukturë.
Banorët e Kosternikut të Kumanovës protestuan sot (25 qershor) para shkollës së fshatit kundër paralajmërimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për mbylljen e disa shkollave me numër të vogël të nxënësve në RMV. Në shkollën e tyre periferike “Vëllezërit Ribar” procesin edukativo-arsimor zakonisht e ndjekin nga dhjetë nxënës, gjë që e vendos në kategorinë e shkollave për mbyllje duke u nisur nga paralajmërimet e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Banorët thonë se nëse mbyllet shkolla fëmijët do të duhet të udhëtojnë 7 kilometra për në shkollë kurse kështu dhe do të rritet numri i të rinjve që emigrojnë.
Kujtomë se Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se ka shkolla me nga pesë apo gjashtë fëmijë dhe sipas saj po bëhen analiza se cilat prej tyre mund të mbyllen.
Ndryshe, sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë. Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve (klasave), duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit. Fshati Kosternik ka rreth 300 banorë, por migrimi ka bërë që ai të zbrazet edhe më shumë.