Ministri për Administratë Publike Goran Minçev ka kërkuar inspektim të jashtëzakonshëm në lidhje me konkursin për punësim të Ndërmarrjes Publike Komunale “Pisha”, transmeton Portalb.mk.
“Parashtresa deri të Inspektorati Shtetëror i Punës është dërguar me qëllim që të konfirmohet nëse në rastin konkret ka bazë për shkelje ligjore”, njoftoi Minçev.
Në reagimin e tij ndaj kësaj Ndërmarrje të Komunës së Likovës, ai kërkoi që ligjet të zbatohen për të gjithë njëjtë. Minçev ka shprehur shqetësim në lidhje me konkursin e kësaj ndërmarrje ku kërkohet punësimi i katër personave, ku si kriter përcaktohet përkatësia etnike.
“Ligji është i qartë – punësimi në sektorin publik duhet të jetë i bazuar në kualifikim, kompetencë dhe transparencë, dhe jo në bazë të etnisë ose diskriminimi tjetër”, deklaroi Minçev.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.