Ministri Mucunski bisedoi me homologun arab rreth zhvillimeve të fundit, kërkoi deeskalim të situatës

Përmes linjës telefonike, ministri për punë të jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka biseduar me homologun nga Emiratet e Bashkuara Arabe, sheikun Abdula bin Yajed Al Nahjan, transmeton Portalb.mk.

“Ai dënoi ashpër sulmet e kryera nga Irani ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i vlerësuar ato si një shkelje serioze të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë respektin për sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial”, njoftoi Ministria për Punë të Jashthme dhe Tregti të Jashtme.

Mucunski i ka shprehur homologut ngushëllime dhe mbështetje të plotë për situatën, duke dënuar sulmet iraniane. Ai kërkoi deeskalim të situatës përmes angazhimit diplomatik, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve.

Ndryshe, Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme sot (1 mars) ka hapur shtabin e krizës në lidhje me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Ky shtab do të punojë 24 orë.

Me ftesë të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkovka, sot do të thirren anëtarët e Këshillit të Sigurimit në Maqedoninë e Veriut. Kjo ftesë erdhi pas zhvillimeve të fundit në Lindje e Mesme. Mbledhja pritet të mbahet prej orës 18:00 në vilën presidenciale në Vodno.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, është vrarë. Trump ka konfirmuar lajmin përmes një shkrimi të postuar në rrjetet sociale ku ka shkruar se, Khamenei, “një nga njerëzit më të këqij në histori”, është i vdekur.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme në disa qytete të Iranit.

Arabia Saudite - Emiratet e BashkuaraIraniIzraeliLuftëMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Timço Mucunski