Ministri i Kulturës në Maqedoninë e Veriut me letër ngushëllimi drejtuar Shqipërisë: Vdekja e Kadaresë, një humbje e madhe

Maqedonia e Veriut përmes ministrit për kulturë dhe turizëm, Zoran Llutkov, ka dërguar letër ngushëllimi deri te homologu shqiptar në lidhje me ndarjen nga jeta të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, transmeton Portalb.mk.

“Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për humbjen e madhe të njërit prej shkrimtarëve më të shkëlqyer bashkëkohorë”, deklaroi Llutkov.

Ai ka shpreh ngushëllime deri te familja e shkrimtarit dhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë, duke e vlerësuar vdekjen e Kadaresë një humbje të madhe.

“Vepra e tregimtarit të madh Ismail Kadare ndriçon historinë dhe kulturën komplekse të atdheut të tij, duke rrëmbyer histori universale”, shkruan ministri Llutkov, duke theksuar që autorët e mëdhenj mund të lindin gjithkund në planet.

Më 1 korrik u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari shqiptar i njohur botërisht, Ismail Kadare. Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Ai është njohur jo vetëm si shkrimtar, por edhe akademik, politikan. Ka qenë ish-deputet i Kuvendit Popullor, zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Ismail KadareKultura shqiptareKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Shqipëria