Mickoski pas takimit me Orbanin: Hungaria është shembull se si një vend mund të balancojë sovranitetin kombëtar me integrimin global

Të frytshëm dhe miqësor. Ky është përshkrimi të cilin e ka bërë kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski takimin në Ohër me homologun e tij hungarez Viktor Orban, transmeton Portalb.mk.

“Hungaria nuk është vetëm partneri ynë në skenën evropiane, por edhe shembull se si një vend mund të balancojë me sukses sovranitetin kombëtar me integrimin global”, shkroi Mickoski.

Ai shtoi se në të kaluarën, Hungaria ishte një nga partnerët e parë që njohu aspiratat maqedonase për pavarësi dhe sovranitet.

“Prej vitesh, lidhjet politike dhe ekonomike mes vendeve tona janë thelluar dhe takimet e sotme vetëm sa konfirmojnë aleancën tonë strategjike”, tha Mickoski.

Më vonë gjatë ditës pritet të mbahet edhe takim i përbashkët ndërqeveritar, ndërsa më pas dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për shtyp.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban së bashku me delegacionin e qeverisë hungareze me rreth 10 ministra arritën dje në vend për vizitë dyditore në RMV. Ata u pritën në aeroportin “Shën Apostulli Pal” nga pothuajse e gjithë qeveria e RMV-së.

Ministrat e RMV-së duke pritur kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbanin në Aeroportin e Ohrit. Foto: Hristijan Mickoski (Facebook)

Për shkak të kësaj vizite në Ohër kryhet regjim i posaçëm i qarkullimit në disa pjesë të qytetit.

Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në Qeveri, partneriteti midis dy vendeve. Më 2 shtator 2024 Qeveria nënshkroi memorandum për mirëkuptim me kompaninë hungareze “4iG” me çka kjo kompani pritet të futet në fushën e telekomunikacionit në RMV. Ndërsa më 17 shtator Kuvendi i RMV-së miratoi ligjin për kredinë prej gjysmë miliardë eurosh nga Hungaria.

Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe dje e quajti situatën “ironike” dhe shtoi se Orban po vjen në vend vetëm për shkak të kredisë hungareze.

“Sa situatë ironike, që kryetari i Bashkimit Evropian erdhi në vizitë në ditën kur kryeministri ynë Hristijan Mickoski thotë se nuk po i vazhdojmë negociatat me BE-në”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në Kanal 5.

“Tani e vetmja gjë për të cilën Orbán dhe Mickoski do të flasin janë marrëveshjet në lidhje me kredinë. Politikisht nuk ka asgjë për të folur”, shtoi ai.

Sipas tij, kredia nga Hungaria është negociuar në mënyrë jotransparente dhe derisa VMRO-DPMNE ishte ende në opozitë.

Filipçe prezantoi një dokument, sipas të cilit, siç tha ai, qeveria e kaluar tashmë kishte negociuar një kredi nga Banka Botërore me kushte shumë më të favorshme se sa norma e kamatës së kredisë për të cilën qeveria e kryeministrit Mickoski u pajtua me Hungarinë dhe Orbanin.

Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë. Urdhrin ia ka dorëzuar presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ka pasur takime edhe me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski.

Kujtojmë që Hungaria i ka dhënë azil politik ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit.

Ndryshe, Hungaria aktualisht kryeson Bashkimin Evropian dhe Orbán është gjithashtu president i Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit.

Viktor Orban vazhdimisht merr kritika nga liderët e Perëndimit për afrimitetin me Rusinë dhe Kinën.

Hristijan Mickoski HristianHungariaViktor Orban