Mickoski i dorëzoi në Kuvend ndryshimet e Ligjit për administratën shtetërore, priten ndryshime edhe për shfuqizimin e qeverisë teknike

Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe deputeti Hristijan Mickoski dhe koordinatori i grupit parlamentar Nikolla Micevski sot në Kuvend i kanë dorëzuar amendamentet e Ligjit për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore në mënyrë që të votohet Qeveria e re e riorganizuar dhe të zgjidhen anëtarët e saj, transmeton Portalb.mk.

Me këtë, Qeveria e Maqedonisë do të marrë ministri të reja, ndërsa disa nga ato ekzistuese do t’i nënshtrohen riorganizimit.

Mickoski tha se kjo është përmbushje e një prej premtimeve të tij parazgjedhore për funksionimin më të mirë të shtetit.

Mickoski, paralajmëroi edhe disa ndryshime ligjore, ndër to edhe shfuqizimin e Qeverisë Teknike. Siç tha Mickoski, edhe para zgjedhjeve kanë shprehur qëndrimin se Qeveria teknike nuk është më e nevojshme.

“Ne po planifikojmë disa zgjidhje ligjore, qoftë si grup parlamentar, qoftë si koalicion për t’i paraqitur në Kuvend. Është edhe ai, po flasim për Qeverinë Teknike. Edhe para zgjedhjeve kemi pasur qëndrim të qartë, se nuk ka nevojë për Qeveri teknike… një nga ligjet do të jetë ai”, tha Mickoski.

Seanca për ndryshimet në ligj, sipas burimeve parlamentare, duhet të mbahet të premten, më 7 qershor.

Dje në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë formuar dy komisione në të cilat do të shqyrtohet Ligjit për Punë dhe Organizim të Organeve Shtetërore, saktësisht ligji përmes të cilit do të formohen dy ministri të reja dhe do të ndryshohen dikasteret tjera. Deputeti Lupço Prenzov do të kryesojë me Komisionin për Sistemin Politik, ndërsa Aleksandar Veljanovski do të kryesojë me Komisionin Legjislativo-juridik. Pjesa tjetër e komisioneve do të vendoset në ditët në vijim.

Kujtojmë se LSDM dhe Fronti Evropian do të prononcohen për ligjet për ministritë pasi të hyjnë në procedurë parlamentare.

Oliver Spasovski nga LSDM theksoi se nëse do i mbështesin ligjet, ai tha se të njëjtat fillimisht duhet të sillen në Kuvend.

Blerim Bexheti nga Fronti Evropian tha se qëndrimi i tyre do të shprehet pasi materialet të jenë dorëzuar para deputetëve.

“Atë ligj nuk e kemi parë ende. Kur ta shqyrtojmë, kur të arrijë te ne, do të japim mendime dhe qëndrime konkrete”, tha Bexheti.

Ministritë e reja do të jenë: për Sport, për Transformim Digjital dhe për Energji, Miniera dhe Burime Minerale. Disa nga ato ekzistuese do të transformohen, kështu që Ministria e Ekonomisë do të bëhet ministri e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të bëhet Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Në Ministrinë e Kulturës do të shtohet edhe sektori i turizmit.

Për të ndryshuar kabinetin qeveritar siç parashikohet në programin e VMRO-DPMNE-së dhe për të miratuar ligjet sistematike për organizimin e punës së organeve të shtetit, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave të shumicës parlamentare në Kuvend. Tani për tani nuk ka shumicë të tillë.

Presidentja Gordana Siljanovska, javën që vjen duhet t’ia ndajë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Nga momenti kur do të bëhet mandatar, Mickoski do të ketë një afat prej 20 ditësh për të formuar Qeverinë e re dhe për ta dorëzuar atë në Kuvend së bashku me programin e saj. Qeveria zgjidhet me shumicë absolute prej 61 deputetësh.

Rikujtojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë. 

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.

Hristijan Mickoski HristianParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut