Mickoski: Ekziston një Akademi e Shkencave dhe Arteve dhe ky është qëndrimi i VMRO-së, Qeverisë dhe akademikëve

Ekziston një Akademi e Shkencave dhe e Arteve dhe ky është qëndrimi i VMRO-DPMNE-së, i Qeverisë dhe i akademikëve nga bashkësitë e ndryshme etnike, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, pasi dje në Tetovë u njoftua se katër komuna të menaxhuara nga kuadro të “VLEN-it” do të financojë funksionimin e Shoqatës së qytetarëve – Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare, transmeton Portalb.mk.

Mickoski nuk pret që një lëvizje e tillë e “VLEN-it” të ndikojë negativisht në koalicionin qeveritar.

“Qëndrimi ynë është parimor dhe kam thënë në shumë raste në të kaluarën që çështjet etnike dhe kombëtare nuk janë prioriteti im”, tha Mickoski.

Ai thotë se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk do ta votojnë buxhetin komunal nga i cili do të ndahen mjete për këtë qëllim.

“Unë nuk do të doja që paratë e qytetarëve të shpenzohen për organizata joqeveritare, më mirë do t’i shihja të shpenzohen për projekte infrastrukturore, për të krijuar kushte që të rinjtë të kthehen dhe këto janë temat për të cilat dua të diskutoj. Temat që polarizojnë apo etnizojnë nuk janë tema në të cilat unë dua të jem bashkëbisedues. Unë supozoj se këto janë disa nga partitë opozitare në Parlament që do të rrisin ose ulin rejtingun nëse diskutohet kjo temë. Më vjen keq që zgjedhin tema të tilla për pikë politike, por si kryetar i Qeverisë mbetem i përkushtuar që të punoj për të mirën e qytetarëve pa dallim etnie”, nënvizoi Mickoski.

Paraprakisht sot kundër kësaj Akademia janë shprehur edhe nga parti të tjera, si BDI, ZNAM dhe Levica.

Dje në Tetovë kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Çairit dhe Zhelinës kanë pasur një takim me përfaqësues të kësaj shoqate dhe kanë paralajmëruar se do ta financojnë funksionimin e kësaj shoqate.

Koalicioni VLEN, që është pjesë e Qeverisë, njoftoi më 28 korrik se ka filluar procedurë për formimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut. Lideri i koalicionit, Arben Taravari publikoi në Facebook se, mbledhja e parë për këtë temë është mbajtur në Tetovë, por selia e akademisë do të jetë në Shkup.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e RMV (ASHAM)Hristijan Mickoski HristianVLEN koalicioni