Mickoski e dorëzoi në Kuvend përbërjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut

Mandatari Hristijan Mickoski sot në Kuvend ka dorëzuar përbërjen për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut e cila do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, transmeton Portalb.mk.

Përmes një deklarate për shtyp Mickoski tha se qytetarët presin rezultate të shpejta.

“Shteti më në fund lirohet dhe do t’u kthehet qytetarëve. Ne kemi një grup njerëzish që janë jashtëzakonisht të motivuar për të arritur rezultate menjëherë. Pres që secili prej tyre të bëjë një përpjekje maksimale, të bëjë diçka për qytetarët tanë. Ata e meritojnë atë. Ata e bënë atë për ne dhe tani duhet ta bëjmë edhe ne. Pres një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Nuk do të ketë asnjë tolerancë për abuzim të çfarëdo lloji nga asnjë person”, tha Mickoski.

Ai theksoi se të rinjtë po largohen sepse nuk kanë të ardhme dhe se perceptimi mund të ndryshohet nëse punohet në këtë drejtim.

Seancën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi pritet ta caktojë për të shtunën në ora 11:00 dhe duhet të përfundojë më së voni deri në mesnatën e të dielës.

Mickoski pret që kjo pike të futet në rend dite me 22 apo 23 qershor.

Se sa do të zgjasë kjo seancë varet nga numri i deputetëve të regjistruar për të folur dhe debati në sallën plenare.

Këto janë propozimet për ministrat e rinj në Qeverinë VMRO, VLEN dhe ZNAM, në krye me Hristijan Mickoskin:

  • Zëvendëskryministër i Qeverisë dhe Ministër i Transportit: Aleksandar Nikollovski
  • Ministër i Mbrojtjes: Vllado Misajllovski
  • Ministre e Financave: Gordana Dimitrieska Koçoska
  • Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme: Timço Mucunski
  • Ministër i Vetëqeverisjes Lokale: Zllatko Perinski
  • Ministër për Transformim Digjital: Stefan Andonovski
  • Ministër i Sportit: Borko Ristovski
  • Ministre e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale: Sanja Bozhinovska
  • Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave: Cvetan Tripunovski
  • Ministër i Kulturës dhe Turizmit: Zoran Llutkov
  • Ministër i Punëve të Brendshme: Pançe Toshkovski
  • Ministre e Arsimit dhe Shkencës: Vesna Janevska
  • Zëvendëskryeministër përgjegjës për Sistemin Politik: Lupço Dimovski
  • Zëvendëskryeministër dhe ministër i Marrëdhënieve mes Komuniteteve: Ivan Stoljkoviq
  • Ministër pa portofol i ngarkuar për zbatimin e Dekadës së Romëve: Shaban Saliu
  • Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Izet Mexhiti
  • Ministër të Shëndetësisë: Arben Taravari
  • Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë: Fatmir Limani
  • Ministër të Ekonomisë dhe Punës: Besar Durmishi
  • Ministër i Çështjeve Evropiane: Orhan Murtezani
  • Ministër pa portofol të ngarkuar për Qeverisjen e Mirë dhe Transparencë: Arben Fetai
  • Ministria e Administratës Publike: Goran Minçev
  • Ministria e Drejtësisë: Igor Filkov

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e Serbëve, do të mbajnë gjithashtu poste zëvendëskryeministrish.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova më 6 qershor ia dorëzoi Mickoskit mandatin për përbërjen e Qeverisë së re, pas konstituimit të Kuvendit.

Që atëherë ka filluar të rrjedhë afati njëzetditor për formimin e Qeverisë së re.

Rikujojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë. Megjithatë, Qeveria e re pritet të formohet jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë. Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.

Hristijan Mickoski HristianParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut