Mickoski dhe Snopçe me përshëndetje dhe urime për njëri tjetrin

 

Meqë këtë po e kërkon Lidhja Social Demokrate (LSDM), ja po i bëj thirrje kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi që të mbledhë Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini për ligjin e “branitellave”. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski sot kur para komisionit amë mund të gjendet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe familjarëve të tyre me procedurë të shkurtuar, duke theksuar se ai nuk varet prej tij, transmeton Portalb.mk.

“Nuk e di nëse dhe kur do të dalë para komisionit ligji për “branitellat”. Nuk varet nga unë. Unë jam megjithatë kryetar i Qeverisë. Por kur të vijë do të ketë mbështetjen tonë”, tha kryeministri.

I pyetur për koment për deklaratën e propozueses së këtij ligji, deputetes së LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, e cila i bëri thirrje qeverisë të veprojë njësoj si me ligjin hungarez për kreditë, Mickoski tha se deputetja ende nuk i kupton procedurat parlamentare dhe se ai si person nuk funksionon në kërcënime.

Më herët, duke komentuar deklaratën e djeshme të deputetit Halil Snopçe se nëse miratohet ligji për “branitellat”, koalicioni “VLEN” do të largohet nga Qeveria, kryeministri shkurt tha “Paç fat”.

Shefi i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, Halil Snopçe, tha se përgjigja që mori sot nga kryeministri Hristijan Mickoski, nuk nënkupton se partnerit shqiptar i tregohet dera për dalje nga Qeveria. Por, Snopçe tha se nëse vjen deri aty puna, edhe ai i uron fat Mickoskit, siç i uroi ky i fundit, paraprakisht.

“Kryeministri, sigurisht, ka dhënë një deklaratë të tillë sepse ma merr mendja se edhe ai është i vetëdijshëm, se nga vijnë këto iniciativa. Më i vetëdijshëm se ne se dikush dëshiron të hedh shkëndija të krizës në qeverisje. Pra, ai ka përvojë më shumë dhe mendoj se nuk ka lidhje më këtë. Normalisht, ai thotë nëse dikush e lëshon qeverinë, i dëshirojmë fat edhe ne themi, edhe ne i dëshirojmë fat të gjithëve nëse vijmë në atë derexhe. Është një deklaratë normale, ai është kryeministër. Ne kemi politikat tona autonome, ne jemi partner, raport forcash, pra kur partneriteti nuk funksionon, atëherë është shumë normale, secili në rrugë të vet. Kjo pranohet me sportivitet, nuk ka dicka tragjike në këtë gjë. Pra, normal, deri tani kemi funksionuar si partner, si raport forcash, jo si raport fuqish. Dhe me siguri edhe në të ardhmen do të funksionojmë si raport forcash, deri në realizimin e përcaktimeve tona programore”, tha Snopçe për gazetën LAJM.

Para dhjetë ditësh Mickoski deklaroi se “branitellat” e kanë pasur, kanë dhe do ta kenë mbështetjen e tij, por se qëllimi i ndryshimeve në Ligjin për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë është rikrijimi i tensioneve dhe intolerancës etnike.

“Këtë ligj që dje ishte në rend dite e ka dorëzuar deputetja Sllavjanka Petrovska, pra LSDM-ja, dhe ajo që është interesante është se kur u votua nevoja për miratimin e rendit të ditës, LSDM-ja u largua nga seanca. Pse po e përmend këtë, sepse vetë deputetja dhe LSDM-ja nuk po e dorëzojnë ligjin sepse u mendojnë mirë “branitellave”, por për të krijuar këtë situatë, sërish për tensione etnike, intolerancë sepse do të jetë karta me të cilën ata dhe partitë e tjera pa dallim, nga nga blloku maqedonas apo shqiptar do të luajnë në periudhën në vijim”, tha atëkohë Mickoski.

Ligji për “branitellat” ka shkaktuar reagime të shumta në partitë politike dhe opinionin publik në periudhën e kaluar.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, duke komentuar ligjin për “branitellat” të propozuar nga deputetja nga opozita e LSDM-së dhe ish-ministre e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, para dy ditësh nga Nju Jorku tha se ligji për “branitellat” është provokim dhe nuk do të kalojë, dhe se ky ligj ka ngecur në sirtarët e Kuvendit.

“Konsideroj se edhe LSDM-ja edhe BDI-ja patën kohë të mjaftueshme për të miratuar një ligj të tillë në tetë vjet. Dhe në këtë mënyrë BDI ta zgjidhë çështjen me pjestarët në 20 vitet e fundit. Sllavjanka Petrovska, e cila ishte ministre e Mbrojtjes dhe mbrojti konceptin civil, tani është iniciatore e ligjit për “branitellat”, tha ai.

Ndryshe, pasi kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, nga Aleanca për Shqiptarët, e cila është pjesë e koalicionit “Fronti Evropian” të udhëhequr nga BDI, javën e kaluar refuzoi caktimin e seancës së këtij organi parlamentar për projektligjin, këtë nuk e ka bërë as kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Petrovska sot në një konferencë për media tha se deputetët e LSDM-së do të kërkojnë që Komisioni për Rregullore dhe Mandat të diskutojë nëse kryetari Afrim Gashi e ka shkelur Rregulloren e Kuvendit me moscaktimin e Komisionit për Politika Sociale, Demografia dhe Rinia për Ndryshimet e propozuara në Ligjin për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe familjarëve të tyre.

Thirrja e djeshme e VMRO-DPMNE-së u cilësua si një kthim prapa nga deputetët e LSDM-së, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, që të nënshkruhen në kërkesën drejtuar kryetares së këtij organi, Ilire Dauti, të thërrasë seancën dhe propozim-amandamentet e Ligjit për “branitellat” ta vendosin në rend dite.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Halil SnopçeHristijan Mickoski HristianKonflikti lufta e 2001 RMVLidhja Social Demokrate (LSDM)Ministria e Mbrojtjes (MM)Ushtar(e) UshtriVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE