Meta ndaloi mediat shtetërore ruse nga platformat e saj

Pronari i rrjetit social Facebook – kompania “Meta” njoftoi dje se po ndalon “Russia Today” (TR), “Rossiya Segodnya” (Rossiya Segodnya) dhe rrjetet e tjera të medias shtetërore ruse, me arsyetimin se këto media kanë përdorur taktika mashtruese për të kryer operacione për ndikim, raportoi The Guardian.

Zbatimi i ndalimit do të bëhet gjatë ditëve në vijim. Përveç në Facebook, mediat do të ndalohen edhe në Instagram, WhatsApp dhe Threads.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ne kemi zgjeruar goditjen tonë të vazhdueshme ndaj mediave shtetërore ruse. “Rosiya Segodnya, RT dhe subjekte të tjera të lidhura tani janë të ndaluara nga aplikacionet tona globalisht për shkak të aktiviteteve të ndërhyrjeve të huaja”, tha Meta në një deklaratë me shkrim.

Ndalimi përfaqëson një përshkallëzim të mprehtë të lëvizjeve nga kompania më e madhe në botë e mediave sociale kundër mediave shtetërore ruse, pas vitesh të tëra duke ndërmarrë hapa më të kufizuar, si ndalimi i reklamave dhe zvogëlimi i shtrirjes së postimeve të saj.

Ndalimi i fundit vjen pasi SHBA në fillim të këtij muaji ngritën akuza për pastrim parash kundër dy punonjësve të Russia Today për organizimin e një skeme për të punësuar një kompani amerikane të prodhimit të përmbajtjes në internet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

RT pagoi gati 10 milionë dollarë për influencuesit konservatorë amerikanë përmes një kompanie lokale për të prodhuar video që synonin të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.

Të premten, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken njoftoi sanksione të reja kundër kompanisë shtetërore të medias ruse, Russia Today, pasi informacionet e reja të marra nga punonjësit treguan se media funksionon si “de fakto krah i aparatit të inteligjencës ruse”.

“Sot zbulojmë se si Rusia zbaton taktika të ngjashme në mbarë botën. “Përdorimi i dezinformatave nga Rusia si një armë për të minuar dhe polarizuar shoqëritë e lira dhe të hapura shtrihet në çdo pjesë të botës,” tha Blinken.

Ai pretendon se qeveria ruse vitin e kaluar krijoi një njësi të re në Russia Today për “aftësi kibernetike dhe lidhje me inteligjencën ruse” për të zgjeruar ndikimin rus në vendet anembanë botës përmes operacioneve të informacionit, ndikimit të fshehtë dhe prokurimeve ushtarake.

Facebook - MetaRusiaVertetmatës recension - verifikim i fakteve