Mesazhi automatik i dërguar në numrin 112 shpëtoi jetën e një shoferi i cili u aksidentua në rrugën Veles-Shtip

Shoferi i cili me veturën e tij ka dalë nga autostrada Veles – Shtip ka shpëtuar falë faktit se një mesazh automatik zanor në gjuhën angleze i është dërguar nga celulari i tij në numrin e vetëm evropian të urgjencës 112, transmeton Portalb.mk.

Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njofton se thirrja është pranuar herët në mëngjesin e sotëm në ora 04:20 dhe sipas procedurës menjëherë janë shënuar koordinatat e lokacionit nga është pranuar thirrja, pas së cilës është bërë verifikimi i menjëhershëm i autenticitetit të thirrjes në bashkëpunim me Ministrinë për punë të brendshme.

“Sipas informatave (“automatike”) të grumbulluara fillimisht në QMK, supozimi ishte se bëhet fjalë për aksident trafiku që ka ndodhur në territorin e fshatit Çaloshevë, tre kilometra përgjatë rrugës kryesore në drejtimin Veles – Shtip. Pas 30 minutash nga MPB-ja është marrë konfirmimi zyrtar se thirrja është e vërtetë dhe se në magjistralen Veles-Shtip ka ndodhur një aksident trafiku, tani me përshkrim më konkret të terrenit se ka qenë afër “Uni Agro” dhe se në makinë ndodhej një person i plagosur dhe i bllokuar”, njoftoi mëngjesin e sotëm nga QMK.

Pas nxjerrjes së të lënduarit, ai është dërguar në spitalin e Velesit, e më pas, me gjasë për shkak të lëndimeve serioze, është transferuar në Qendrën Klinike në Shkup.

“Ky është një shembull i rrallë i shpëtimit të një personi që nuk mund të telefonojë dhe celulari dërgon automatikisht një mesazh për aksident të mundshëm trafiku në numrin 112. Me thirrjen merren edhe koordinatat për lokacionin e mjetit, përkatësisht të dëmtuarit, si në rastin në fjalë dhe fillimisht kontrollohet gjendja faktike dhe më pas në përputhje me situatën nxirret dhe shpëtohet i dëmtuari”, thonë nga QMK.

Aksident trafiku rrugor (veturë motor biçikletë bus)Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMV
Comments (0)
Add Comment