Memedi thotë se e ka angazhuar kushëririn e tij të ndihmojë si këshilltar në klinikën e fëmijëve sepse ka mungesë të madhe të kuadrit

Drejtori i klinikës për sëmundje të fëmijëve në Shkup, Rexhep Memedi, tha sot se po përballen me mungesë të kuadrit në të gjitha sektorët, veçanërisht në pjesën e administratës, dhe se nuk është problem që ka angazhuar si këshilltar njërin nga ish-drejtorët ekonomikë, transmeton Portalb.mk.

Në ngjarjen e sotme ku u dha ndihma nga Ambasada japoneze, Memedi u përgjigj në pyetjet e gazetarëve se pse e ka angazhuar si këshilltar Alajdin Memedin, i cili ishte drejtor ekonomik i klinikës deri në vitin 2022, për të cilin partia lëvizja “Levica” e akuzoi se është kushëriri i tij.

“Të gjithë drejtorët e mëparshëm kanë përdorur këshilltarë dhe kjo është në përputhje me dispozitat ligjore. Kjo është brenda asaj që lejohet dhe në këtë pjesë nuk kemi asnjë ndryshim në buxhet. Ne si klinikë kemi realizuar kursime të konsiderueshme në lidhje me shpenzimet që deri më tani janë destinuar për drejtorët ekonomikë. Në lidhje me kostot për këshilltarët, të cilët të gjithë drejtorët e mëparshëm i kanë përdorur, nuk kemi ndryshime. Fatkeqësisht, kemi mungesë të stafit edhe në administratë, e cila është gjithashtu një pjesë e rëndësishme. Prej vitesh, sektori i financave funksionon pa udhëheqës, departamenti i prokurimeve publike funksionon me vetëm një të punësuar dhe pa udhëheqës, si dhe sektori i kontabilitetit. Është e pamundur që një institucion të madh të funksionojë pa këshillë nga ekspertë të fushës së financave dhe kontabilitetit. Ne jemi në proces të plotësimit dhe shtimit të këtij stafi, i cili është thelbësor për funksionimin normal,” tha Memedi.

Në reagimin e gazetarëve, se ish drejtori Alajdin Memedi duhet t’i kthejë paratë në Klinikë, drejtori aktual Rexhep Memedi tha se ai është i vetmi drejtor ekonomik që e ka fituar rastin gjyqësor të cilin ai vetë e ka iniciuar për shkarkimin e tij.

“Ka vendim gjyqësor se ai nuk ka bërë shkelje në veprimet e tij dhe është fakt i mjaftueshëm që ka punuar në kuadër të kompetencave ligjore”, tha ai, pa iu përgjigjur pyetjes nëse ka qenë konflikt interesi që kushëriri i tij ishte i punësuar.

Në vend të Rexhep Memedit, u përgjigj ministri i shëndetësisë Arben Taravari, i cili tha se për shkak të interesit të madh mediatik, ai ishte informuar për Alajdin Memedin dhe ishte njoftuar se ai kishte drejtuar një institucion në vitin 2014 dhe një në 2022, dhe rezultatet treguan se ai është një nga drejtorët më të suksesshëm.

“Nuk e di nëse është nepotizëm, por nuk mund të ndalojmë emërimin e një këshilltari nëse ai mund të ndihmojë në përmirësimin e punës së Klinikës. Nuk shoh asgjë të keqe, ai nuk është më drejtor dhe mund të jetë këshilltar kudo”, tha Taravari.

Në këtë ngajrje Memedi me ambasadorin e Japonisë nënshkruan kontratë për grant – donacion të një aparati “Rentgen mobil” i dedikuar për pacientët neonatal dhe pedijatrik në Klinikën Univerzitare për sëmundje të fëmijëve – Shkup.

Memedi, në emrin e të gjithë personelit të Klinikës e falënderoi Ambasadën dhe ambasadorin e Japonisë në RMV si dhe popullin japonez, të cilët, siç tha, edhe një herë, me këtë donacion të rëndësishëm treguan humanizëm të madh ndaj fëmijëve-pacientëve, si dhe ndaj qytetarëve.

“Donacioni do të jetë shumë i dobishëm, ngase do të mundësojë diagnozë të shpejtë dhe precize, si dhe shërbime më cilësore për pacientët më të vegjël, me çka do të shkurtohet koha e pritjes për ekzaminim dhe do të zvogëlohet reziku për komplikime në rast se simptomat e sëmundjes nuk diagnostifikohen dhe trajtohen me kohë. Efikasiteti i teknologjisë digjitale mobile për incizim do të ndihmojë që të shmangen rentgen ekzaminimet e përsëritura, transporti i panevojshëm dhe ndryshimi i pozicionit të trupit të pacientit.” tha ai.

 

Arben TaravariJaponiaMaqedonia e Veriut RMVSpital(e)