Për dy netë me radhë, sonte dhe nesër, në Gostivar mbahet edicioni i tretë i Festivalit të Fotografisë “Punktum”. Përmes dy ekspozitave mbresëlënëse dhe një promovimi të një libri fotografik, do të reflektojmë mbi thyerjet e jetëve tona, njofton Portalb.mk.
Ekpozita “Linja të thyera” dokumenton frakturat në egzistencën tonë; lidhjet e ndërprera në mes natyrës dhe njeriut, midis përparimit dhe shkatërrimit, midis fjalës dhe veprës, midis njeriut me njeriun…Këto thyerje që ajo sjell në dritë janë më shumë se çarje fizike; ato janë plagët e shpirtit kolektiv dhe pasqyrë e shpirtit të thyer të njeriut që përpiqet të rimarrë kontrollin e një bote që nuk e kupton më.
Këto imazhe shpalosin distancën e njeriut nga esenca e tij; distancë kjo që ai vetë e krijoi. Një zhurmë thumbuese terrori mund harmoninë e shpresës. Lidhjet njerëzore, dikur të thella dhe të fuqishme, sot duken sipërfaqësore dhe të brishta. Urat e mirëkuptimit transformohen në mure ku shpirti humb ndjeshmërinë që na bashkon. Shpirtrat thehen, thehet besimi, thehet dashuria, thehet toleranca, empatia, e respekti…
Osman Demiri, drejtor i Festivalit për Portalb.mk tha se karakteristikë e këtij edicioni të Festivalit “Punktum” është se më tepër u kan dhënë hapësirë të rinjve.
Kanë dy ekspozita, njëra kolektive me një grup të rinjsh, dhe tjetra është ekspozitë e një artiste e re nga Gostivari, Arbra Mexhiti, e cila do të prezentohet me ekspozitën “Gostivari dikur dhe sot”. Një krahasim mes të kaluarës dhe së tashmës.
“Tani e tutje, duam apo nuk duam, fotografinë e kemi prezente në çdo pore të jetës. Ajo është gjuhë e mediumeve dhe e njerëzimit. Komunikimi përmes fotografisë është shumë i lehtë dhe i kuptueshëm. Ajo është gjuhë univerzale, të cilën e kuptojnë të gjithë, pa marrë parasysh kombësia, religjioni, mosha etj. Kështu që, rëndësia e saj është shumë e madhe dhe e pa kontestueshme. Pastaj, se sa i japim në personalisht rëndësi, kjo është diskutabile. Ata që merren me të, normal që janë me të dhanun pas saj, kurse të tjerët janë vetëm vrojtues”, tha Demiri, drejtor i Festivalit.
Në këtë ekspozitë, artistët sjellin copëza përpjekjesh që luftojnë për të çliruar një botë të ngulfatur nga dhimbja, konflikti dhe mungesa e moralit. Kështu, në këtë valë kaosi, thirremi të bëhemi krijues të një rendi të ri, duke transformuar thyerjet në një mundësi për rikrijim. Ata na thërrasin të mbledhim copëzat e thyera dhe t’i kthejmë ato në diçka të re – si një mozaik që merr formë në duart e artit, duke na nxjerrë në pah potencialin për një rindërtim të vlerave njerëzore.