Më Mirë për Tetovën: “Boris Kidriç”, shembull i punëve “shkel e shko” 

Nisma e aktivistëve të pavarur “Më Mirë për Tetovën” ka kritikuar se rruga “Boris Kidriç” në Tetovë është bërë “shkel e shko”, raporton Portalb.mk.

Vullnet Neziri nga MMPT tha se punimet në këtë bulevard duhej të përfundonin në pranverë, por banorët dhe bizneset vazhdojnë të paguajnë çmimin e lartë të kësaj hallakame që nuk i shihet fundi. 

“Punimet në qytet kryhen pa transparencë. Projektet nuk kanë tabela informuese, ashtu si e kërkon ligji. Është e paqartë se si përzgjidhen kompanitë që i projektojnë dhe realizojnë këto projekte dhe kush mban përgjegjësi kur punimet zvarriten apo dështojnë. Trotoaret e qytetit vazhdojnë të jenë të uzurpuara. Prindërit me karroca nuk mund të lëvizin lirshëm me fëmijët e tyre”, tha Neziri.  

Ai shtoi se komunikacioni është kthyer në luftë të përditshme për të gjithë qytetarët dhe se kaosi urban dita ditës përkeqësohet. 

Në programin zgjedhor të kryetarit aktual të komunës, i cili kandidon edhe për një mandat, Bilall Kasami premton “vazhdimin e Bulevarit Boris Kidriç nga kryqëzimi me Bulevardin Bllagoja Toska deri te Stacioni i Autobusëve.

Ndryshe, punimet për rikonstruimin e kësaj rruge janë zvarritur vazhdimisht dhe janë shoqëruar me shumë polemika, për të cilat Portalb.mk ka raportuar në vazhdimësi.

Bilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e Tetovës