Më 14 shtator pritet të takohet Kurti dhe Vuçiq

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë të ditur se më 14 shtator do t’i ftojë në takim të nivelit të lartë në dialog, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Koha.net.

Në një konferencë për media në Spanjë, Borrelli ka njoftuar se bashkë me Presidencën Spanjolle të BE-së synojnë një takim të ministrave të shteteve anëtare të BE-së me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor për ta analizuar situatën në rajon. Ka thënë se ky takim do të mbahet në fund të shtatorit.

“Më 14 shtator do të mbaj takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si lehtësues, për të kërkuar zgjidhje”, ka thënë ai pas njoftimit për propozimin spanjoll për takim me ministrat e Ballkanit.

Borrelli ka thënë se procesi i zgjerimit është diskutuar me ministrat e Jashtëm të BE-së dhe ka shtuar se ky proces ka marrë kahe të re pas luftës në Ukrainë, megjithatë ka shtuar se procesi do të zbatohet “në bazë të meritave”.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq ishte në fillim të majit.

Nga ajo kohë, veriu i Kosovës është përballur për një kohë me tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta të dhunshme duke kundërshtuar hyrjen në objektet komunale, të kryetarëve të rinj të komunave. Kryetarët, për herë të parë janë të partive shqiptare. Zgjedhjet qenë bojkotuar nga serbët.

Albin KurtiAleksandar Vuciq VuçiçDialog Kosovë - SerbiKosovaSerbia