Mbi diktaturat demokratike

Fjala diktaturë nënkupton pushtetin e dhunshëm dhe të pakufizuar të shteteve që drejtohen nga prijës autoritarë, të cilët mbrojnë me çdo mjet interesat e klasës sunduese, kërkojnë nënshtrim dhe bindje të verbër të popullatës ndaj autoriteteve, ia diktojnë asaj vullnetin e vet, pa përfillur fare mendimet, dëshirat dhe interesat e njerëzve të rëndomtë, që përherë përbëjnë shumicën e një vendi. Sistemet e tilla janë totalitare, sado që të fshihen me pispillosje e mënyra të ndryshme, që të mos u dalin për mejdani të palarat dhe boja e zezë katran.

Një maskim të tillë bota njohu pas Luftës së Dytë Botërore, kur diktaturat e Bllokut Komunist të Lindjes, të udhëhequra nga partitë marksiste, shpikën dhe shpallën si demokraci të llojit më të lartë Diktaturën e proletariatit – pushtetin shtetërot, që gjoja mbronte interesat e klasës punëtore.

Të njëjtin mashtrim e bënë dhe shtetet xhuxhe të Ballkanit, që, pas rënies së Murit të Berlinit (Perdes së Hekurit), u vetëquajtën shtete demokratike, të udhëhequra nga po ata prijës bolshevikë mendësia e të cilëve s’kishte asgjë të përbashkët me demokracinë e mirëfilltë. Në këso rrethanash, edhe brezat e rinj të pushtetarëve trashëguan mendësinë e mentorëve të tyre, duke vazhduar t’i paraqesin si liberale shtetet, që, në fakt, akoma nuk janë shëruar nga marifetet hegjemoniste. Kjo shëmti e zgjat jetën e diktaturave “demokratike”, prijësit e të cilave nuk e synojnë mirëqenien dhe paqen ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike, që nuk e synojnë ndërtimin e shteteve ku mbisundon ligji, drejtësia dhe barazia e plotë ndërmjet qytetarëve të një vendi. Ata shtirren sikur nuk e kuptojnë se andrrallat e gjimnastikave të pabarazisë mbi tjetrin janë udhë pa krye që shpiejnë drejt humbjes së mirëbesimit ndërmjet njerëzve dhe drejt konflikteve të tmerrshme që nuk duhet të rishfaqen kurrë më.

Mjerisht, kjo nuk do të ndodhë gjersa nuk do të shërohen zotat e rremë nga ileti i racizmit dhe skllavërimit, gjersa nuk do t’i kuptojnë drejt porositë e njerëzve të urtë, si ajo e Nikollaj Bergjajevit:“Njeriu e ka për detyrë të jetë i lirë, nuk guxon të jetë rob, sepse është i detyruar të jetë njeri”, apo si vargjet e Dante Aligierit, të shkruara qysh në mesjetë:

“Askush mos të harrojë se asht njeri,
ju le nuk keni për t’gjallue si shtazë,
po për të ndjek virtyt e dituri”.

Këtë e thonë edhe mendjendriturit, zmërbardhët, shpirtlirët dhe prometejët e kohës sonë. Këtë e ka preferuar, që në zanafillën tonë, edhe i Gjithfuqishmi. Por, synimi për t’përmbushur këtë detyrim njerëzor – idealin për t’mos mbetur izmeqar dhe peng në kthetra despotësh, në ndërgjegjen e të cilëve s’ka gjë më të papeshë se fatet njerëzore, bie ndesh me “zotrat” që i kanë zët krenarët.

Kjo është asyeja përse në zëndanet me pamje të rreme shtetthesh “demokratike”, njeriu tutet nga këshilla e Emil Sioranit: “Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie!”, sepse ata që e gjakojnë lirinë mund të aksidentohen dhe t’i shkelë treni i pushtetit kur s’ua merr mendja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit