Mbi demonizimin dhe kultet

Në shoqëritë post totalitare kundërshtari politik ose ideologjik ende shihet si armik i përbetuar. Të mos pajtohesh me dikë nuk do të thotë ta trajtosh si armik, si tradhtar ose si djall. Ky diskurs është i papranueshëm në shoqëritë demokratike.

Një shoqëri është demokratike kur aty nuk mbizotëron vetëm e vërteta zyrtare; kur nuk ka mendim uniform; kur ka shumësi mendimesh për dukuri të ndryshme. Demokraci do të thotë kur mund ta shprehësh mendimin pa u frikësuar nga dënimi apo linçimi. Vetëm në shtetet autoritare, totalitare dhe diktatoriale shumica mendojnë njësoj ose shtiren se mendojnë njësoj.

Në shumë shoqëri post totalitare ka tendencë të vazhdueshme për t’i ndarë njerëzit si të mirë dhe të këqij, si tradhtarë dhe patriotë, si engjëj dhe djaj. Në shoqëritë ku ka dhunë verbale pason dhuna reale. Nga fjalët kalohet në vepra të dhunshme.

Një dukuri e neveritshme është linçimi i njerëzve që guxojnë të shkojnë kundër rrymës dhe turmës. Linçimi i organizuar dhe sistematik bëhet nga qendra të caktuara që synojnë ta ngulfatin çdo mendim i cili nuk u përshtatet grupeve të ndryshme politike. Pjesë e linçimit bëhen edhe shumë mediume, që e dëgjojnë vetëm njërën palë dhe, si të tilla, nuk informojnë, por propagandojnë dhe indoktrinojnë. Pavarësisht se veprojnë në sistem shumëpartiak, janë media totalitare. Gazetari moderne do të thotë ta dëgjosh edhe palën tjetër, siç thuhet në të drejtën romake.

Në shoqëritë post-totalitare ka tendencë të vazhdueshme për krijimin e “kultit të personalitetit”. Kësaj tendence duhet t’i kundërvihemi vazhdimisht, sepse asnjë politikan nuk është engjëll. Çdo politikan duhet të kritikohet, por edhe të lavdërohet nëse ka bërë një punë të mirë. Realitetin e shohin bardh e zi vetëm ata që kanë vetëdije totalitare.

Vladimir Tismaneanu, në sprovën “Fryma intelektuale pas rënies së komunizmit” thotë: “Intelektualët nuk duhet ta zëvendësojnë princin, por ta plotësojnë atë dhe, kur e lyp nevoja, edhe ta qortojnë ashpër. Ata duhet të nxisin diskutime që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e modernitetit, si dhe të jenë kundër çdo force obskurantiste dhe reaksionare. Falë intelektualëve, qytetarët e thjeshtë mund ta bëjnë dallimin themelor midis veprimeve të mira dhe atyre të këqija”.

Kjo frymë na mbron nga çdo lloj tiranie, përfshirë edhe tiraninë e turmës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu
Comments (0)
Add Comment