Mbi 80 përqind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), transmeton Radio Evropa e Lirë.
Por, për studiuese si Ernera Dushica nga Instituti për Studime të Avancuara GAP dhe Blenda Asllani nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion QIKA, kjo statistikë nuk reflekton realitetin.
Ato argumentojnë se gratë kryejnë shumë punë, por se ato nuk u njihen formalisht.
Për çfarë bëhet fjalë?
Që kur ASK-ja ka filluar grumbullimin e të dhënave për shkallën e punësimit të qytetarëve të Kosovës në vitin 2012, burrat kanë qenë të punësuar në shkallë dukshëm më të larta se gratë.
Muajin e kaluar u publikua Anketa e fundit e Fuqisë Punëtore, ku shihet se mbi 53 përqind e burrave në Kosovë dhe më pak se 20 përqind e grave janë të punësuar.
Tregu joformal i punës
Matja e shkallës së punësimit në Kosovë vlerësohet si proces i vështirë për shkak të tregut joformal të punës.
Shumë qytetarë të Kosovës nuk marrin kontrata pune dhe nuk regjistrohen si punëtorë në kompanitë ku punojnë. Në shumë raste, kjo bëhet për të mos e humbur asistencën sociale mujore apo për t’iu shmangur pagimit të taksave.
Gjithsej, 42 përqind e kosovarëve vlerësohet se janë të përfshirë në tregun joformal të punës, sipas një studimi të sivjetmë të Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK). Më të cenuarat rezulton të jenë gratë që jetojnë në zonat rurale.
Dushica nga Instituti GAP thotë se puna joformale e grave në zonat rurale përfshin punën në fermat familjare, ku gratë ndihmojnë në kultivimin e tokës, përkujdesen për kafshë apo përpunojnë produkte bujqësore.
“Në zonat rurale, shumë gra punojnë në bujqësi. Shumë shpesh janë të papaguara dhe nuk gëzojnë mbrojtje sociale”, thotë Dushica për REL-in.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat e raportit të RRGK-së, sipas të cilave gratë në zonat rurale kanë dukshëm më shumë gjasa të kryejnë punë të papaguar në biznese familjare.
Ndër dëmet më të mëdha për gratë të cilave nuk u njihet puna e tillë, Dushica vlerëson se është pensioni mujor që ato marrin pas moshës 65 vjeçe.
Pa pasur kontribut të njohur në tregun e punës, gratë nga mosha 65 vjeçe marrin vetëm pensionin bazik të moshës, që është 100 euro në muaj.
Pension më të lartë – atë si kontributdhënës – gëzojnë ata persona që kanë qenë aktivë në tregun formal të punës.
Barra e kujdesit për fëmijë, të moshuar dhe shtëpi
Por, përveç punës së papaguar në biznese familjare, Asllani nga organizata QIKA thekson edhe punën e kujdesit shtëpiak dhe familjar, ku gratë janë më të angazhuara se burrat.
Sipas saj, faktorët e tillë që ndikojnë në shkallën e ulët të punësimit, kanë në thelb “normat patriarkale dhe stereotipat e bazuar në gjini”.
“Arsyeja kryesore është se shoqëria jonë, tradicionalisht, i ka parë dhe i sheh gratë si përgjegjëset kryesore për kujdesin ndaj familjes dhe shtëpisë, respektivisht si përgjegjëset kryesore për punën e papaguar të kujdesit – çka i detyron ato të qëndrojnë në shtëpi”, thotë Asllani për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara në tetor të vitit 2022 nga Instituti Musine Kokalari, puna e papaguar e kujdesit shtëpiak arrin vlerën mbi 1.8 miliard euro.
Ai raport tregonte se gratë kalojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë duke u përkujdesur për familjarë apo për shtëpi, ndërsa burrat 3.5 orë.
Raporti i sivjetmë i RRGK-së tregon se edhe burrat, edhe gratë ndihen të mbingarkuar nga puna në shtëpi – gjë që i shtyn të mos jenë aktivë në tregun e punës.
Por, për gratë, arsyeja e dytë më e shpeshtë është kujdesi për familjarë, në krahasim me burrat që kanë dhënë si arsye studimet akademike.