Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) sot e zgjodhi Masar Omeragiqin për kryetar të ri. Zgjedhja e tij u mbajt në kuvend të jashtëzakonshëm, pas dorëheqjes së paraprijësit të tij Muamed Sejdini, njofton Portalb.mk.
Omeragiq është biznesmen dhe futbollist i mëparshëm i Vardarit dhe Slloga Jugomagnatit. Ai ishte edhe kandidat i vetëm për këtë funksion në kuvendin e jashtëzakonshëm që u mbajt në Shkup.
“Unë jam njeri nga futbolli, njëri prej jush dhe e di se në cilin drejtim duhet ta zhvillojmë futbollin e Maqedonisë. Si edhe në futboll, kjo është punë ekipore, në të cilën nevojitet shumë vrapim dhe shumë djersë që të arrihen qëllimet. Me punë fillojmë që nga nesër. Kam disa pika kyçe të cilët do t’i zbatoj në mandatin tim dhe para së gjithash kthim të legjendave në strukturat e futbollit të Maqedonisë”, deklaroi Omeragiq, duke paralajmëruar zero tolerancë për korrupsion në futboll.
Kuvendi i jashtëzakonshëm në të cilin u zgjodh Omeragiq pason pas dorëheqjes së paraprijësit të tij Muamed Sejdini. Ai u tërhoq nga funksioni muajin e kaluar, katër muaj para se t’i skadoj mandati i dytë në krye të FFM-së.
Omeragiq është kryetari i shtatë i FFM-së, pas Alekso Kiprovski, Lubisav Ivanov, Llambe Arnaudov, Harallampie Haxhi – Risteski, Illço Gjorgjioski dhe Muamed Sejdini.
Më 17 nëntor ka dhënë dorëheqje kryetari i FFM-së, Muamed Sejdini, pasi prej vitit 2018 ka qenë në krye të këtij institucioni. Një muaj më herët pritej Masar Omeragiq të jetë kandidat për kryetar të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ai paraprakisht ka fituar përkrahje publike edhe nga ish-futbollisti i Maqedonisë, Goran Pandev, i cili shpeshherë e ka kritikuar Sejdinin.
Ndryshe, në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) në fund të muajit tetor është kërkuar mbledhje urgjente nga anëtarët e Këshillit Drejtues të FFM-së, kërkesë e cila pritet të realizohet brenda 21 ditëve. Sejdinit në muajin tetor i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit, konfirmon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Kryetari i FFM-së paraprakisht ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit. Nga ana tjetër, dy institucionet kryesore në futbollin ndërkombëtar, UEFA dhe FIFA, kanë kërkuar takim urgjent me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me problemet e shkaktuara në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM).
- LEXO: Muhamet Sejdini ka dhënë dorëheqje – FFM në dhjetor do të zgjedhë kryetar të ri
- LEXO: Anëtarët e Këshillit Drejtues në FFM kërkuan mbledhje urgjente
- LEXO: I është tërhequr pasaporta diplomatike kryetarit të FFM-së, Muammed Sejdinit dhe 230 personave të tjerë
- LEXO: Kërkojmë takim urgjent me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut-së, alarmoi UEFA dhe FIFA