Maqedonia e Veriut “e përmbajtur”: Asambleja e OKB-së mbështeti rezolutën palestineze për t’i dhënë fund pushtimit izraelit

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së sot me shumicë dërrmuese mbështeti një rezolutë jodetyruese palestineze që kërkon që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti, transmeton Portalb.mk.

Për rezolutën votuan 124 nga 193 anëtarë të organizatës botërore, 14 ishin kundër, 43 abstenuan.

Rezoluta gjithashtu bën thirrje për tërheqjen e të gjitha forcave izraelite dhe evakuimin e kolonëve hebrenj nga territoret e pushtuara palestineze “pa vonesë”.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e quajti rezolutën “përpjekje për të shkatërruar Izraelin përmes terrorizmit diplomatik” që nuk përmend kurrë “krimet” e Hamasit dhe “injoron të vërtetën, shtrembëron faktet dhe zëvendëson realitetin me trillim”.

Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.

Kundër votuan Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Republika Çeke, Hungaria, Argjentina dhe vende të tjera.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.

GazaGjenocidIzraeliKrime lufteMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Palestina