Mali i Zi filloi hetimet rreth procedurës për dhënien e nënshtetësisë për biznesmenin kosovar, Naser Ramaj

Pas arrestimit të biznesmenit kosovar me pasaportë malazeze, Naser Ramaj, i dyshuar për evazion fiskal, policia po kontrollon ligjshmërinë e procedurës përmes së cilës atij iu dha nënshtetësia e Malit të Zi në tetor të vitit të kaluar, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ramaj është një nga pronarët e firmës “Alart Centar Budva – CG”, e cila po ndërton kompleksin rezidencial-tregtar Porto Budva, me vlerë prej 80 milionë eurosh.

Policia e dyshon se ai ka kryer evazion fiskal dhe ka kontribuar me 2 milionë euro në atë projekt, mbi bazën e të cilit e mori nënshtetësinë përmes skemës që njihet si “pasaporta e artë”.

Një ditë pas arrestimit, më 8 gusht, gjykata në Kotor vendosi masa të mbikëqyrjes ndaj Ramajt, përkatësisht atij iu ndalua largimi nga banesa dhe iu sekuestruan përkohësisht dokumentet e udhëtimit.

Nga gjykata kanë deklaruar se këto masa do të mbesin në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe ato do të rishikohen çdo dy muaj, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Biznesmen - BiznesKosovaMali i ZiPodgorica