LUFTA E GJELAVE

Kolumnën “Lufta e gjelave” e kam shkruar para 33 vitesh, por versionin e saj të plotë, që mjerisht i shkon shumë kohës sonë, po e publikoj sot për lexuesit e PortAlb-it.

*

Në agun e shekullit XX, kur u vu themeli ishtetit shqiptar, fatalistit i shpëtoi goja dhe tha: Ta ruajë Zoti nga Shqiptarët. Dhe pati të drejtë, sepse shqiptarëve të mësuar nën llostin e të tjerëve, u hyri lepuri në bark nga frika e jetës në liri dhe që të nesërmen i grahën copëtimit të vetvetes.

Sot, në vigjilje të shekullit të ri çdogjë ka ndryshuar pamjen. Vetëm shqiptari, tok me ata që zgjedh t’i prijnë, mbeti rreziku më i madh i vetvetes. Prijësit, në momentet më udhëkryq të historisë, shpikin probleme, duke e frikësuar popullin me rreziqet e ndarjeve të reja të trungut etnik. E populli i ngratë të cilit s’ia pyet kurkush hallet, populli i katandisur si mos më keq s’e ndjenë fare se janë duke e ushqyer ne fluska sapuni. Në fakt, tani nuk ndodh asgjë me peshë, ngase, ndodhi çfarë ndodhi. Ne u bëmë pakicë e madhe e shumicës së vogël. U bëmë rajë. U bëmë asgjë. Së këndejmi, justifikimeve të kujtëdoqoftë, veçmas të atyre që nuk kanë tjetër nënë pos partisë, u vie era shtërzim për të siguruar rehatinë e fundit të shpinës, siç do të thoshte Ramiz Kelmendi.

Nejse. Kohën e kemi me bollëk dhe mund të vetëdijësohemi nga fundi i shekullit të ardhshëm, kur t’i kuptojmë më mirë asociacionet e teatrit politik të parësisë qepaze. Atëherë do ta kapim të vertetën, sepse është ligj natyre: edhe pula qorre zë një kokër misri. Fundja, për ata që na e njohin kryet, do të ishte e pabesueshme që ne ta perceptojmë havanë në kohën e tashme, sepse ne njihemi për ndezjet e vonshme prej disa dekadash. Madje, edhe kur i ndjejmë të vërtetat, nuk i shfrytëzojmë ato për të mësuar nga dështimet, por për t’u zhytur sërish në të njëjtën llofkë. Kuptohet: me stil të ri huxhumi.

Jo rastësisht Sabri Hamiti shkroi vargun: Përsëritja përsëritet përsëri. Jo rastësisht para hundëve tona luhen të njëjtat drama, si shekujt e dekada më parë. Jo rastësisht jemi qeshita që nuk u kushtojmë të ligave një minutë vëmendje sot dhe rezervojmë gjithë të nesërmen për to. Jo rastësisht lajmë veten nga përgjegjësitë dhe akuzojmë vetëm të tjerët për iletet tona kronike.

Rrethanat aktuale i kanë bërë disa njerëz të thonë se në epokën para mbërthimit të ish sistemit me dollamën demokratike kemi qenë më rehat. Sipas tyre, asokohe të paktën e kemi ditur ku i kemi avdeshanet. Tash, u bëmë helaq, sepse të shkuarën e hidhur nuk u bëmë kurrë magistra vitae. Këtu duhet kërkuar shkaqet e akulturimit dhe shkombëtarizimit të qenies shqiptare, që inteligjencia jonë e ngathtë e përmbledh në utopiken: do të kalojë… Shi për këtë, kështu si ia kemi nisur do të gdhihemi një ditë fillikat bosh dhe pa asnjë ndjenjë, njerëzore e kombëtare, sepse gjithë kuajt e Trojës së të tjerëve janë të palëvizshëm, kurse tanit ecin revan serbes.

Faik Konica ka thënë herët se shqiptarët përgjithësisht kanë për ideal qërimin e vezëve të njëri-tjetrit. Dhe këtë nuk e tha se qe fatalist, por një realist që dha diagnozën e kohës, e cila, mjerisht, është dhe jona. Kështu, gjersa merremi me probleme banale që i krijojmë vetë, gjersa e bëjmë sehir shkëpurdhjen e qenies sonë, gjersa u bëjmë pozë haleve dhe hirës së kombit për interese meskine…, tymi i oxhakut shqiptar do të shtegtojë gjetiu me autobusët dykatësh të xhambastuxharëve, vaji i foshnjave tona do të shterrojë materniteteve të globit, e ne do të mbetemi pakicë e vërtetë edhe atje ku aktualisht na pranojnë si “numër të konsiderueshëm”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit
Comments (0)
Add Comment