Lubjana është destinacioni më kreativ evropian për vitin 2026: Turizëm me përvojë autentike përmes promovimit të artit lokal

Kryeqyteti slloven, Lubjana, fitoi titullin destinacioni më kreativ evropian për vitin 2026, duke konfirmuar rëndësinë e kreativitetit, kulturës dhe inovacionit në zhvillimin e turizmit bashkëkohor, transmeton Portalb.mk.

Çmimi u nda në edicionin e 13-të të Creative Tourism Awards, ku Lubjana konkurroi me 223 destinacione nga 28 vende.

Juria veçoi veçanërisht aftësinë e qytetit për të integruar kreativitetin në identitetin e tij, strategjinë turistike dhe planifikimin afatgjatë urban.

Lubjanë, Slloveni. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qyteti njihet për bashkëpunimin e fortë me artistë lokalë, dizajnerë, arkitektë, muzikantë dhe zejtarë, duke u mundësuar vizitorëve pjesëmarrje aktive në punëtori, festivale dhe ngjarje të ndryshme kulturore.

Kjo qasje e shndërron turizmin në një përvojë autentike, në vend të një vizite të zakonshme të atraksioneve turistike, shkruan revista kroate e turizmit “Putnik kofer”.

Lubjanë, Slloveni. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas vlerësimeve, Lubjana është e njohur për parqet e gjelbra, arkitekturën e saj plot sharm dhe atmosferën e gjallë, ndërsa titulli i fituar e forcon më tej dukshmërinë ndërkombëtare dhe pozicionin e saj si lidere në turizmin kreativ në Evropë.

Për vizitorët, qyteti ofron mundësi ideale për udhëtim të shkurtër.

Dita mund të nisë me një kafe pranë lumit Ljubljanica, e ndjekur nga një shëtitje drejt sheshit Presheren, ku ndodhet monumenti i poetit Franc Presheren.

Në afërsi gjendet edhe Tromostovje, vepër arkitekturore e Jozhe Pleçnik.

Lubjanë, Slloveni. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për një pamje panoramike, sipas vlerësimeve të turistëve, rekomandohet vizita në Kalanë e Lubjanës, ndërsa për pushim në natyrë zgjedhje ideale është Parku Tivoli, parku më i madh i qytetit.

LubjanëSezoni turistik - Turist(e)Sllovenia