LSM paraqiti propozim në Kuvendin e RMV-së për uljen e pagave të zyrtarëve

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut propozim për uljen e pagave të zyrtarëve për 78 përqind. Me këtë propozim, nga LSM-ja thonë se kërkojnë ndryshime të menjëhershme të nenit 11 të Ligjit për paga dhe shtesa të tjera të deputetëve në Kuvend dhe të personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar në shtet, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Nga LSM-ja thonë se propozimi i tyre është që rritja e pagave të punonjësve dhe zyrtarëve të sektorit publik të bëhet në parime të barabarta pa diskriminim në përputhje me parimet e dakorduara në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik.

“Rregullat për punëtorët duhet të vlejnë njësoj për edhe zyrtarët. Prandaj LSM-ja e bën këtë propozim pikërisht në drejtim të zbatimit të parimeve të barabarta për pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik dhe zyrtarëve të zgjedhur e të emëruar, pavarësisht nëse është në nivel qendror apo lokal”, thuhet në njoftimin e LSM-së.

Nga atje thonë se në periudhën e kaluar, LSM-ja u ka treguar të gjithë të zgjedhurve dhe të emëruarve se është e palogjikshme rritja drastike e pagave të zyrtarëve, veçanërisht në kohën kur punëtorët, qytetarët dhe pensionistët ballafaqohen me pasojat e krizës.

Sipas LSM-së, sindikalistët dhe qytetarët nuk i shohin rezultatet e dhëna nga zyrtarët në drejtim të përmirësimit të zhvillimit social dhe ekonomik dhe, siç thonë ata, nuk kanë parë angazhim të shtuar dhe rritje të produktivitetit të zyrtarëve për të marrë më pas rritje pagash prej 78 përqind.

Vendimi për rritjen e pagës së të zgjedhurve dhe zyrtarëve është marrë pasi nga Gjykata Kushtetuese është kërkuar të vlerësojë kushtetutshmërinë e neneve 4 dhe 1, e jo të nenit 11 të Ligjit për pagën dhe kompensimin e shtesave të personave të zgjedhur dhe të emëruar dhe se çështja nuk është ngritur fare se në cilën përqindje do të rriten apo ulen pagat.

Gjyqtarët kushtetues thonë se vendimet e tyre janë përfundimtare dhe duhen respektuar, por këto vendime nuk i ndalojnë ligjvënësit, pra Kuvendin, të bëjë ndryshime ligjore që do të zbatohen më pas nga pushteti ekzekutiv. Roli i Gjykatës Kushtetuese është të vlerësojë nëse ligjet janë në përputhje me Kushtetutën, tha gjykata pas vendimit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është publikuar në Fletoren Zyrtare më 23 mars dhe është përfundimtar.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese i pari reagoi presidenti Stevo Pendarovski, i cili tha se është e papëlqyeshme në kohë krize ekonomike rritja e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit dhe i bëri thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje ligjore.

FunksionarëGjykata Kushtetuese RMVLidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM)Paga - RrogaParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut