Lojrat online FIFA, Call of Duty dhe Fortnite janë ndër të preferuarat te të rinjtë e vendit me të cilët bisedoi Portalb.mk. Siç thanë ata, kanë dëshirë të shpenzojnë kohën e lirë në “gaming” por, edhe duke shikuar filma të zhanrit aksion dhe komedi.
Shumica e djemve që shpenzojnë kohën e tyre në këto lojra thonë se e bëjnë vetëm për ndjenjën që kane pas një fitore, disa të tjerë e shohin edhe si lloj terapie.
“Është ajo ndjenja që po fiton pa u lodhur, vetëm ulesh dhe luan pa pasur nevojë të lodhesh fizikisht”, tha Driloni.
“Kur nervozohem me njerëz, zakonisht e nxjerr gjithë energjinë në lojëra, është si terapi”, tha Arditi.
Studentja e vitit të parë Anesa thotë se më shumë i preferon filmat sesa lojrat online.
“Që nga mosha e vogël shoh filma, janë mënyra se si unë i largohem pak realitetit”, thotë ajo.
Sipas një studimi nga Entertainment Software Association mbi zakonet e konsumit të medias tregon se brezi i ri (Gen Z) shpesh e preferon lojën online mbi shikimin tradicional të filmave/serive, dhe se përdorimi i lojërave mobile është shumë i përhapur, shumica përdor smartphone për lojëra, krahasuar me pajisje të tjera.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, 97%e të rinjve (16–29 vjeç) në vendet e Bashkimit Evropian përdorin internet çdo ditë, gjegjësisht janë tërë kohës online.
Edhe Maqedonia e Veriut nuk dallon nga këto vende sa i përket përdorimit të teknologjisë dhe konsumit të mediave online. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës i Maqedonisë së Veriut, në vitin 2024 rreth 91.2% e popullsisë (15–74 vjeç) përdorin internetin, ndërsa 90.8% e amvisërive kanë qasje në internet në shtëpi. Po ashtu, një pjesë e madhe e përdoruesve (76.4%) e përdorin internetin disa herë gjatë ditës, duke treguar një prani të vazhdueshme online.
Një nxënëse e vitit të katërt tregon se Netflix pothuajse është aplikacioni që mer një kohë të gjërë në ditët e saj të lira.
“Kaloj diku 4 orë duke shikuar seriale, ndonjëherë me duket qe po jetoj në të”, tha Melisa.
“Internetin e përdor më shume për rrjete sociale por nuk mungojnë as lojërat, nuk është se jap të gjithë fokusin tim ne lojra online”, thotë Niku.
“Rreth 5-6 orë në ditë, Instagram, Tiktok dhe pak YouTube dhe ndonjë lojë kur nuk kam çfarë të bej,” tha Iliri.
Kujtojmë se në vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, statistikat nga një artikull të botuar në VNA (Agjencia e Lajmeve Shqiptare) tregojnë prezencë aktive të përdoruesve të Netflix dhe transmetimeve të tjera, duke treguar se interesimi për shikim të filmave online është në rritje edhe në vendet fqinje.
Përdorimi i argëtimit digjital nuk është vetëm lokal, por një fenomen që shtrihet në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Përdorimi i shërbimeve të video‑streaming si Netflix sipas shifrave zyrtare të tyre është rritur ndjeshëm. Statistikat tregojnë se përdoruesit globalisht shikuan mbi 95 miliardë orë përmbajtje në platformat e streaming vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, me një mesatare nga çdo përdorues që arrin rreth 63 minuta në ditë.
Autore: Amila Rashiti