Idi Amin ishte president i Ugandës. Ai njihet si njëri nga despotët më të egër në historinë moderne. I pyetur për lirinë e fjalës, ai tha: “Në Ugandë liria e fjalës është e garantuar, por problem është liria pas fjalës”.
Në një vend ku nuk respektohen ligjet, ka probleme me lirinë pas fjalës dhe me lirinë pas veprimit. Aty ka liri arbitrare, e cila, sipas Berdjajevit, ka pamje demoniake.
Vendi ku nuk respektohen ligjet, është i egër. Aty, siç tha Hobsi, “njeriu për njeriun është ujk”. Aty më të rrezikuar janë ata që nuk e shkelin ligjin. Ka një tregim që fillon me fjalinë: “Përpara ligjit jam plotësisht i pastër, prandaj jam i shqetësuar”. Në atë vend dënohen të pafajshmit dhe janë të paprekshëm fajtorët. Aty i torturuari akuzohet për vetëndëshkim. Ligjet që nuk zbatohen janë të përsosur vetëm për keqbërësit…
Aty ku nuk funksionon shteti i së drejtës, nuk ka paqe shoqërore dhe sociale. Studiuesit thonë se në shtetin e së drejtës qytetarët janë të barabartë përpara ligjeve, gjykatat janë të pavarura, kurse qeveria nuk është e gjithëfuqishme, por transparente, e pa korruptuar, që e ruan rendin dhe i mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut etj.
Një shtet quhet i dështuar kur qytetarët nuk i besojnë sistemit gjyqësor; kur ligjet janë vetëm në letër, por nuk zbatohen barabarësish në praktikë dhe kur nuk ka autonomi sferash shoqërore. Pra kur aty ka probleme me lirinë pas fjalës dhe me lirinë pas veprimit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.