Lidhja Evropiane për Ndryshim bojkoton Kuvendin, derisa nuk zgjidhet anëtari i tyre në KSHZ

Lidhja Evropiane për Ndryshim prej sot nuk do të marrë pjesë në Kuvend derisa të zgjidhet anëtari i KSHZ-së nga Opozita Shqiptare, shkruan Portalb.mk.

”Nga sot do ta bojkotojmë punën në Kuvend derisa të vijë në rend dite anëtari ynë i KSHZ-së. Sot jemi këtu të deklarojmë se durimi jonë është nga fundi ne i apeluam kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi që mos ta uzurpojë të drejtën e opozitës që të jetë e përfaqësuar në KSHZ, por përkundër kësaj BDI shpik pengesa si të krijojë parakushte për manipulimin e procesit zgjedhor në mënyrë që ta zbusë humbjen që do t’i ndodhë më 8 maj” – tha Safije Sadiki nga Lidhja Europiane për Ndryshim.

Përndryshe, më 18 dhjetor, Lidhja Evropiane për ndryshim propozoi Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së. Nga kjo Lidhje, shtojnë se i kanë dërguar kryetarit të Kuvendit letër, në të cilën i kanë thënë se partitë e vetme opozitare sipas definicionit të nenit 2, paragrafi 10, i Kodit Zgjedhor, janë AlternAtivA dhe Lëvizja Besa, si parti që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo letër ka ardhur pasi  Xhaferi, u ka dërguar letrën për propozim të kandidatit edhe dy partive të tjera, që janë formuar së fundi.

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim prej kohësh kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita. Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti më 7 nëntor të këtij viti informoi se Abdush Demiri është kandidati i bllokut opozitar shqiptar “Lidhja evropiane për ndryshim” për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

AlternAtivA (AAA)Lëvizja Besa (LB)Lëvizja DemokratikeVLEN koalicioni