Liderët perëndimorë në Kiev për ta mbështetur Ukrainën, Zelensky: Ukraina do të fitojë (VIDEO)

Liderët perëndimorë janë mbledhur sot në Kiev për të shënuar dy vjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës , Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është zotuar se Ukraina do të fitojë. Në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social X, Zelensky porositi se, “Çdo njeri normal dëshiron që lufta të përfundojë. Por askush prej nesh nuk do të lejojë që Ukraina të përfundojë”, transmeton Portalb.mk.

Ai përmes kësaj video, ka falënderuar popullin ukrainas për rezistencën e treguar gjatë kësaj periudhe.

“Të dashur njerëz të mëdhenj të një vendi të madh, jam jashtëzakonisht krenar për secilin prej jush. Unë e admiroj secilin prej jush. Unë besoj në secilin prej jush. Çdo njeri normal dëshiron që lufta të përfundojë. Por askush prej nesh nuk do të lejojë që Ukraina të përfundojë. Kjo është arsyeja pse kur bëhet fjalë për përfundimin e luftës, ne gjithmonë shtojmë: sipas kushteve tona. Prandaj, krahas fjalës paqe, ka gjithmonë një fjalë tjetër: vetëm. Prandaj, në të ardhmen, fjala e pavarur do të shfaqet gjithmonë krahas fjalës Ukrainë. Kjo është ajo për të cilën ne luftojmë. Dhe ne do të fitojmë. Në ditën më të madhe të jetës sonë. Falënderoj të gjithë ushtarët tanë, njerëzit tanë dhe këdo në mbarë botën që qëndron me ne dhe të vërtetën. Lavdi Ukrainës!”, ka theksuar Zelensky në video – mesazhin e tij.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vizituar kryeqytetin ukrainas Kiev për të shënuar përvjetorin e dytë të luftës midis Kievit dhe Moskës, transmeton Anadolu.

“Më shumë se kurrë, ne qëndrojmë fort pranë Ukrainës. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe moralisht. Derisa vendi të jetë më në fund i lirë”, shkroi von der Leyen në platformën sociale X.

Para mbërritjes në Ukrainë, Trudeau shkroi në X se Kanadaja dhe aleatët “i dërgojnë mesazh të qartë [Rusisë]: Ukraina nuk do të mposhtet në luftën e jashtëligjshme të Putinit”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, në një deklaratë për të shënuar përvjetorin, tha se duke e sulmuar Ukrainën, Rusia “po e shkatërron gjithashtu paqen në Evropë”. Ai u bëri thirrje gjermanëve dhe të gjithë evropianëve që “të bëjnë edhe më shumë, në mënyrë që ne të mund të mbrohemi në mënyrë efektive”.

Lufta në UkrainëOlaf Shollc (Olaf Scholz)Ursulla fon der Llajen (Ursula von der Leyen)Vladimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy)