Liderët botëror urojnë presidentin Erdogan për fitoren në zgjedhje

Lidërët botëror kanë uruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan për rizgjedhjen e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi Erdoğan aktualisht kryeson në zgjedhje me 53,41 përqind të votave, raporton Anadolu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

“Urime për fitoren Zoti President”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale në urimin e tij edhe në gjuhën turke, duke e shoqëruar me foton e Presidentit Erdoğan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

“I shprehim urimet tona të përzemërta presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Derisa ju vazhdoni ta udhëhiqni Türkiyen drejt sukseseve të reja, unë pres me pa durim të punojmë së bashku për ta rritur bashkëpunimin tonë të shkëlqyer”, shkroi në Twitter presidentja Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përgëzuar presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdogan, për fitoren e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke i uruar sukses në kryerjen e detyrave të tij.

“Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Serbisë, ju dërgoj urimet e mia të përzemërta për rizgjedhjen tuaj President i Republikës së Türkiyes, me dëshirën që të mbeteni të përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tuaj dhe mirëqenien e qytetarëve në këtë mandat”, ka thënë Vuçiq në mesazhin e tij të urimit, njoftoi zyra e tij.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nëpërmjet një telefonate ka uruar presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga Presidenca e Azerbajxhanit, Aliyev ka thënë se këtë fitore e vlerëson si shenjë të besimit të popullit turk në politikat e Erdoğanit, duke shprehur bindjen se zhvillimi gjithëpërfshirës i Türkiyes do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme nën udhëheqjen e Erdoğanit.

“Vëllai im i dashur, ju përgëzoj për fitoren tuaj dhe ju uroj sukses në mandatin tuaj të ri, të arrini atë që populli vëlla turk aspiron në aspektin e përparimit dhe prosperitetit”, shkroi në Twitter Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Al-Thani.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu e përgëzoi presidentin Erdoğan për, siç shkroi ai në Twitter, “fitoren e tij të padiskutueshme në zgjedhje”.

Gjithashtu edhe zyra e presidentit të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, e uroi presidentin Erdoğan, duke shkruar në gjuhën turke, “Urime Türkiye vëllazërore dhe miqësore”.

Ndërkaq, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në mesazhin e tij të urimit e përshkroi presidentin Erdoğan si “një nga liderët e paktë botërorë, politika e të cilit është ankoruar në shërbimin publik”.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se sipas 75,42 përqind të votave të numëruara në mbarë vendin, Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 përqind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 përqind të votave.

Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.

Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën në qendrat e votimit në mbarë Türkiyen.

Më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 përqind të votave në raundin e parë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 përqind.

Edi RamaRexhep Taip ErdoganTurqiaVjosa Osmani
Comments (0)
Add Comment