Artikulli pretendon që KFOR ishte vendosur në hyrje të Leposaviqit dhe që kishin penguar Njësinë Speciale të Kosovës për të shkuar në komunën e Leposaviqit. “KFOR-i ka vendosur barrikadën tek baza në zonën e quajtur ‘Nothing Hill’- shkruhet në lajm, raporton Sbunker.
Lajmi i rremë u shpërnda edhe nga media të tjera: Veriu.info, Bota Press, Shqiptarja etj.
Mirëpo, përkundër raportimit të mediave, e gjithë kjo është demantuar nga Policia e Kosovës. Duke mohuar raportimet e sotme që Njësia Speciale e PK-së nuk është lejuar të shkojë në Leposaviq nga KFOR-i. Zëdhënësi i PK – së Baki Kelani, ka thënë se “Ju informojmë se të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe të caktuara në detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”.
Vlen të theksohet që Misioni i Aleancës Veriatlantike– NATO ka treguar se njësitet e saj kanë qenë të vendosura në katër komunat me shumicë serbe në veri për të frenuar demonstratat e dhunshme, të cilat u organizuan për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave që të ushtrojnë detyrën në ndërtesat e kuvendeve komunale. Protesta u zhvilluan si rezultat i bojkotimit të zgjedhjeve lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill.