Lajçak paralajmëroi vizitë në Prishtinë për përgatitjen e rundit të ri të dialogut

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një vizitë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve”, tha Lajçak, duke mos dhënë detaje të tjera rreth vizitës në Prishtinë.

Ndërkaq, Forumi i Bledit, ku Lajçak tha se do të marrë pjesë, mbahet më 2 dhe 3 shtator.

Lajçak po ashtu foli për qëndrimin e tij në Pragë, ku mori pjesë në konferencën e sigurisë, Globsec.

Ai tha se në Pragë zhvilloi takime me të dërguarin e ri të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexender Kasanof, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Një prej momenteve më të rëndësishme ishte takimi me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimro, Alexender Kasanof, dhe rikonfirmimi i partneritetit të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së. Po aq i rëndësishëm ishte takimi im me presidentin Vuçiq lidhur me hapat e radhës në dialog dhe për pritjet për periudhën e ardhshme”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.

Javë më parë, Bashkimi Evropian tha se dëshiron që të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Autoritetet në Kosovë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër, palët veçse kanë arritur marrëveshje vite më parë.

Bashkësia ndërkombëtare po e kundërshton hapjen e urës tani, duke u thirrur në shkaqe sigurie.

Bashkimi Evropian (BE)KosovaMiroslav Lajçak Mirosllav LlajçakSerbiaTensione etnikeVeriu i Kosovës