Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme nuk i miratoi ndryshimet e propozuara të Ligjit për Dokumente Udhëtimi, me të cilat kërkohej që pasaportat e vjetra të qytetarëve me “Republika e Maqedonisë” të vlejnë deri në fund të vitit, ashtu siç është bërë me patentat e shoferit, njofton Portalb.mk.
Ndryshimet ligjore u propozuan nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Kundër ndryshimeve të ligjit votuan 54 deputetë, ndërkaq 46 ishin “për”.
“Me këtë, për fat të keq, LSDM, BDI dhe PRSD lanë në baltë 600.000 shtetas maqedonas të cilëve u është shkelur e drejta e lirisë së lëvizjes, ndërkaq një pjese të madhe u rrezikohen lejet e punës jashtë vendit, dokumentet për qëndrim të përhershëm, por edhe mjekimi ose arsimimi jashtë Maqedonisë”, shkruajti deputeti Milloshoski në Facebook.
Delegacioni i BE-së në vend sot u deklarua në lidhje me dokumentet udhëtuese të qytetarëve. Prej atje thonë se “me rëndësi Maqedonia e Veriut të vazhdojë t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe angazhimet për ndryshimin e dokumenteve ndërkombëtare, të cilat janë të përfshira në Marrëveshjen e Prespës”.
“Rikujtojmë se pranimi i dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga vendet e treta është në kompetencë të çdo vendit-anëtarë në veçanti”, thuhet në njoftim.
Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.
- LEXO: Toshkovski: Austria dhe Kroacia lejojnë lëvizjen e qytetarëve të Maqedonisë me pasaporta të vjetra
- LEXO: Nuk është e vërtetë se dokumentet e udhëtimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të jenë të vlefshme nëse përmbajnë emrin e ri
- LEXO: Përveç fletës për udhëtim, diaspora mund të pajiset me dokumente udhëtimi nga 25 përfaqësi konsullore-diplomatike
- LEXO: Qytetarët me pasaporta të vjetra në dilemë për të ardhur në RMV, ja cila është procedura