Nëse do të ndalonim për një moment dhe do të shikonim me kujdes brenda shportës së “Vitit të Ri” do të pyesnim veten: “Kush është vërtetë Babadimri që na dhuron këtë shportë?” Është ai një simbol bujarie dhe festash, apo një lojtar i padukshëm në treg që sheh këtë periudhë si një mundësi përfitimi?
Sipas mitologjisë dhe traditës, “Babadimri i shportës”, do të ishte një figurë e kujdesshme, që ofron produkte cilësore dhe çmime të përballueshme për të gjithë. Por, realiteti është tjetër. Në këtë kontekst, iniciativa për të ulur çmimet e 1000 produkteve bazë dhe për t’i përfshirë ato në një “Shportë të Vitit të Ri” dukej shume joshëse, ngjalli shpresë te qytetaret, por dhe skepticizëm njëkohësisht. Përtej paketimit të bukur dhe emërtimit festiv, çfarë fshihet vërtetë në të? Për shumë qytetarë, ajo nuk është më një simbol i gëzimit, por një realitet zhgënjyes – çmime të rritura, cilësi të dyshimtë dhe një mungesë e theksuar transparence. Nga njëra anë, çmimet e produkteve në treg janë rritur ndjeshëm, duke bërë që shporta festive të mos jetë e përballueshme për shumicën. Nga ana tjetër, shumë prej artikujve që përfshihen në këto shporta janë të diskutueshëm – produkte që shpesh janë pranë afatit të skadimit ose pa etiketa të sakta për origjinën dhe përmbajtjen. Kush është përgjegjës për këtë situatë?
A është “Babadimri i shportës” një tregtar i pandershëm që përfiton nga mungesa e kontrollit, apo një sistem i tërë që toleron këto abuzime? Mungesa e kontrolleve të rrepta dhe toleranca ndaj këtyre praktikave abuzive u japin hapësirë tregtarëve për të shfrytëzuar tregun.
Bizneset duhet të kuptojnë se festat janë një kohë për të ndërtuar besim dhe respekt me klientët e tyre, jo për të përfituar në mënyrë të pandershme. Kjo situatë nuk është thjesht rezultat i “rregullave të tregut të lirë”, por i një mungese të thellë të përgjegjësisë dhe kontrollit institucional. Si është e mundur që, në një periudhë kur kërkesa është e lartë, abuzimet të jenë kaq të zakonshme? Pse ndëshkimet për bizneset që shkelin ligjin janë të rralla dhe të pamjaftueshme për të parandaluar këtë avaz? Por ,përgjegjësia nuk qëndron vetëm te institucionet. Bizneset, në një kohë kur konsumatori duhet të trajtohet me kujdes, duket se e shohin këtë periudhë si një mundësi për fitim maksimal, shpesh në kurriz të mirëbesimit të klientëve. Për ta, festa duket se është vetëm një tjetër stinë e artë për të rritur çmimet dhe për të hedhur në treg mallra të cilësisë së dyshimtë.
Është koha që konsumatorët të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ata duhet të kërkojnë transparencë, cilësi dhe çmime të arsyeshme. Çdo produkt i pakontrolluar, çdo rritje e pajustifikuar çmimi duhet të raportohet dhe të ketë pasoja për përgjegjësit.
Festat nuk duhet të jenë një barrë ekonomike dhe morale. Ato janë për të ndarë gëzim dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, jo për të përkeqësuar gjendjen e familjeve. Institucionet dhe bizneset duhet të kujtojnë që konsumatorët janë aleati i tyre më i vlefshëm – dhe trajtimi i tyre me respekt është mënyra e vetme për të ruajtur këtë besnikëri.
Në fund, është detyra e të gjithëve që të ruajmë frymën e festave: një frymë solidariteti, ndershmërie dhe mirëkuptimi – jo një luftë për mbijetesë në treg.