Kurti: NATO-n e duam në Kosovë, Kosovën në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekzistojnë disa arsye që jo vetëm që qytetarët e Kosovës të mos largohen nga Kosova por madje edhe për t’u kthyer në atdhe, raporton Koha.net.

Në një fjalim në mbledhjen e 55-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti ka thënë se Kosova ka qeverisje të mirë.

“Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, progres shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit e shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë e pa viza për shumë vende. Këto janë arsye jo vetëm për të qëndruar në Kosovë, por edhe për tu kthyer në atdhe”, është shprehur Kurti.

Ai ka folur edhe për regjistrimin e mërgatës, dhe u ka bërë thirrje atyre që të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

“Regjistrimi online i mërgatës po vazhdon. Ai është i hapur deri në fund të muajit gusht e edhe nga këtu sot u bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tonë të dashur që patjetër të regjistrohen ata të cilët tashmë nuk e kanë bërë këtë gjë dhe jo vetëm kaq”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti si të arritur e ka përmendur edhe statusin e anëtarit të asociuar që Kosova mori para disa muajsh në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

“Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kuvendi ynë me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtarë të NATO-s mori statusin e anëtarit të asociuar. NATO-n e duam në Kosovë. Kosovën e duam në NATO”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për fushën e energjisë, Kurti ka konsideruar se ka pasur rezultate të rëndësishme, të cilat madje i ka vlerësuar si historike.

“Fillimisht funksionalizuam bursën e përbashkët të energjisë elektrike me Shqipërinë – ALPEX pas shkëputjes nga blloku energjetik me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe bashkimin me bllokun energjetik rregullues me Shqipërinë, inaugurimi i bursës ALPEX është arritja tjetër e madhe në pavarësimin tonë energjetik, si dhe në bashkëpunimin tonë kombëtar”, është shprehur ai.

Albin KurtiKosovaNATOVetëvendosje