Kur shteti tallet me qytetarët e vet

Këto ditë Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut (MPB) ka shpallur datën e fundit për ndryshimin e dokumenteve të identifikimit dhe të udhëtimit që qytetarët duhet ta bëjnë si rezultat i emrit të ri të shtetit. 12 shkurti i vitit 2024 është data e fundit e vlefshmërisë së dokumenteve me emrin “Republika e Maqedonisë”.

Me të dëgjuar këtë lajm, qytetarët ua kanë mësy zyrave të MPB-së në qytetet përkatëse. Këto zyra m’u desh t’i vizitoj edhe unë për të marrë lejen e drejtimit. U befasova kur u përballa me tollovinë e madhe të krijuar si rezultat i pritjeve të qytetarëve. M’u kujtuan vitet e 90-ta, kur pas rënies së Jugosllavisë, nëna ime (e lindur në Kosovë) u desh që të marrë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë. Atëbotë pagoi 50 dollar amerikan, që për pak muaj kjo taksë u bë 500 dollar. Në zyrat e MPB-së të Tetovës shkonim që në orën 5 të mëngjesit për të zënë radhën e dorëzimit të dokumenteve të nevojshme. Edhe pse nëna kishte jetuar në Tetovë që kur ishte dy vjeçe, asaj nuk i njihej e drejta e shtetësisë. Iu desh të shëtiste në disa zyra të ndryshme, përfshi dhe shkollën “Istikball”, nga ku morën dëftesat, që t’i dorëzonim si dëshmi për shtetësinë. Iu desh të përballej dhe me pyetje të çuditshme si “ku e ke burrin, përse ke ardhur vetëm me fëmijët”.

Duke hyrë e duke dalë nga zyrat e MPB-së, dëgjova hidhërimin e qytetarëve për mënyrën e trajtimit e për pritjet e gjata. Madje njëri tha: “këtu kryhet punë me të njofshëm, e te ajo zyra tjetër pa të njofshëm”. Dëgjova dhe zemërimin e nëpunësit, i cili tha: “qytetarët janë të paditur, s’bëjnë asnjë ankesë, shteti ka vendosur datë, por nuk ka bërë asnjë përgatitje për të shërbyer ata”. Kur të kihet parasysh që në këto javë kthehen edhe mërgimtarët të cilët shfrytëzojnë pushimet edhe për rregullim dokumentesh, atëherë një trajtim i tillë, pritjet e gjata, vështirësitë e tjera administrative të lënë përshtypjen e hidhur që shteti të trajton si leckë, por ama lekët dëshiron që t’i marrë, sidomos ato që sjellin mërgimtarët.

Mënyra e shënimit të emrave e mbiemrave në dokumentet zyrtare vazhdon të mbetet një problem tjetër. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon traditën e shënimit të emrave e mbiemrave në dy versione për qytetarët jomaqedonas, duke keqinterpretuar kështu rregulloren ndërkombëtare Doc 9303 që nuk paraqet asnjë problem gjatë shënimit të germave “problematike”.

Pritjet e gjata të këtyre ditëve dëshmojnë se RMV-ja nuk ka administratë publike efikase që do të shërbejë qytetarët e saj, nga taksat e të cilëve marrin rrogën e tyre mujore. Gjoksrrahjet e mburrjet që punohet për një efikasitet më të madh shërbimesh nuk mjaftojë për të thënë që gjërat lëvizin në drejtim të duhur. Grumbullimi i qytetarëve para zyrave të MBP-së dëshmon të kundërtën.

Ankesa nga qytetarët ka edhe për aplikimet online. Ndonëse ky shërbim ofrohet, qytetarëve nuk u jepet një datë e caktuar për të kryer aspektet tjera administrative, duke u thënë që nuk ka orar të lirë për ta.

Burimi: Horizont Substack

Na Shkruani
Comments (0)
Add Comment