Kur ligjet shfuqizohen për shkak të përjashtimeve

Ekziston një dukuri shumë e çuditshme në nënqiellin ballkanik dhe në shtetet ku jetojmë. Sillen rregulla të caktuara që kanë qëllim legjitim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të qytetarëve. Pastaj paraqitet situatë ku dikush i keqpërdor këto rregulla. Dhe ndodh që institucionet në vend se të merren me keqpërdoruesit e rregullave i shfuqizojnë vetë rregullat. Në këtë mënyrë, për rastet përjashtimore që mund të paraqiten e pësojnë të gjithë ata që kanë përfitim nga ato rregulla.

Kjo dukuri mund të shihet qartazi edhe në rastin e Balancuesit që është temë aktuale këto ditë, duke qenë se dje Gjykata Kushtetuese me vendim të votuar nga shumica dhe me mendim të ndarë nga njëri gjyqtar shqiptar dhe në mungesë të gjyqtarit tjetër shqiptar, pra në një situatë që ngjason shumë me majorizimin që ishte rregull në institucionet shtetërore para vitit 2001, shfuqizoi Balancuesin që ishte instrument ligjor i diskriminimit pozitiv që siguronte përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve etnike në sektorin publik. Pra, le të kujtohemi që ky instrument ligjor u soll për shkak se përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i të gjitha komuniteteve etnike në sektorin publik është vlerë kushtetuese sipas Kushtetutës së RMV, vlerë kjo e vendosur me amendamentet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Balancuesi si instrument ligjor siguronte që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve etnike në institucionet shtetërore nuk do të varet nga fakti se kush është në krye të institucionit, por si rregull do të zbatohet për të gjithë ata që konkurrojnë për punë në atë institucion. Pra edhe një herë, ky ishte instrument që u krijua me qëllim që të zbatohet një vlerë e rëndësishme kushtetuese në një vend që pretendon të ekzistojë sipas parimeve të demokracisë konsensuale dhe jo të majorizimit etnik.

Me kalimin e kohës u krijua narrativi se përmes këtij instrumenti ata që konkurrojnë për punë në sektorin publik pranohen sipas kriterit të vetëm që është përkatësia e tyre etnike, e disa thonë edhe partiake. U paraqitën raste ku qytetarët e shkruanin përkatësinë e tyre etnike sipas asaj që kërkohej në konkurs. Mbi të gjitha, u promovua narrativi se punësimet bëhen jo sipas meritave por sipas përkatësisë etnike dhe partiake. Kështu, Balancuesi nga një instrument ligjor që duhej të promovojë barazi dhe përfaqësim të drejtë përmes diskriminimit pozitiv filloi të satanizohet si instrument me të cilin partitë politike shqiptare siguronin punë në sektorin publik për aktivistët e tyre partiakë. Dhe në bazë të kësaj Komisioni për ndalim të korrupsionit inicioi në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij instrumenti. Kjo iniciativë nuk u trajtua për një kohë të gjatë deri sa ndryshoi pushteti dhe në qeveri erdhi VMRO-DPMNE me shumicë shumë të madhe votash e cila po ashtu në programin e saj zgjedhor kishte paraparë heqjen e Balancuesit. Fare rastësisht por pak si me dashje, vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese përkon pikërisht me këtë pikë të programit zgjedhor të partisë më të madhe në pushtet. Dhe kështu, balancuesi si instrument ligjor për sigurim të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komuniteteve etnike në sektorin publik, u flijua në emër të akuzave për partizim dhe politizim të institucioneve publike. Me këtë u krijua një zbrazëtirë e madhe që nuk është e qartë si do të plotësohet, duke qenë se parimet kushtetuese nuk zbatohen vetvetiu, por nevojiten ligje konkrete që ato të vendosen në zbatim. I mirë ose i keq, Balancuesi ishte një instrument ligjor që siguronte përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Tani nuk ekziston më një instrument ligjor për zbatimin e këtij parimi të rëndësishëm kushtetues.

Kjo është një situatë absurde kur institucionet, duke qenë të paaftë të vendosin përgjegjësi për ata që i shkelin rregullat, vendosin që t’i fshijnë rregullat! Të sqaroj më mirë me një shembull: të gjithë kanë lirinë e shprehjes, por dikush e keqpërdor këtë liri dhe përmes gjuhës së urrejtjes përhap urrejtje dhe mosdurim mes komuniteteve të ndryshme. Këtë e bën përmes rrjeteve sociale si mjet me të cilin më shpejt mund të përhapet gjuha e urrejtjes. Në këtë rast, ne nuk e heqim nga përdorimi rrjetin social për shkak se të njëjtin dikush e ka keqpërdorur për të përhapur urrejtje, ne e sanksionojmë atë që ka përhapur urrejtje. Liria e shprehjes vazhdon të zbatohet përmes rrjetit social si instrument, por ai që ka shkelur rregullat sanksionohet. Në rastin e balancuesit, nëse ka pasur keqpërdorime, është dashur të veprohet në ato raste dhe të vendosen para përgjegjësisë ata që kanë keqpërdorur instrumentin dhe jo të shfuqizohet instrumenti, aq më pak para se të sillet një instrument tjetër më i mirë se ai që është në fuqi.

Problemi esecnial është se një shumicë gjithnjë e më e madhe në këtë vend nuk beson në vlerat kushtetuese të vendosura me Marrëveshjen e Ohrit dhe i sheh ato të padrejta dhe diskriminuese ndaj komunitetit shumicë. Problemi esencial është se kjo shumicë dëshiron me çdo kusht që vendi të kthehet në kohët “e arta” të majorizimit etnik, atëherë kur dihej shumë mirë se kush ishin “zotërinjtë” e kush “qiraxhinjtë” në këtë vend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit