Kundërspin: Kur kryeministri gjuan “të devijuarit”

Mickoski nuk ka kohë për të humbur, por do të presë Kongresin e VMRO-DPMNE-së vitin e ardhshëm për t’i falënderuar ata që sipas tij “ikën” dhe nuk po e kryejnë detyrën me “fytyrë të pastër”. Por pse nuk e bëri menjëherë? Dhe, nuk i takon një kryeministri të vlerësojë nëse një zyrtar ka “devijuar” apo të kërcënojë se do t`i “tërheqë veshët”. Kjo tingëllon e papërshtatshme dhe pa shije. Në fund të fundit të krijohet përshtypja se dikush është i dehur nga pushteti, ndaj kërcënon me arrogancë në stilin “mund të bëj çdo gjë”, shkruan Vërtetmatësi.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij në konferencën vjetore të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, paralajmëroi ndryshime të mëdha në parti dhe në shtet, duke spinua të vërtetën.

Spin: …Këtë e them qartë dhe me vendosmëri gjithmonë, edhe tani. Unë si kryeministër do të sanksionoj çdo devijim, do të shkarkoj të gjithë ata që na çnderojnë si strukturë dhe si njerëz. Ne duhet të japim shembullin e ndryshimit dhe nga secili prej nesh varet se si dhe me çfarë intensiteti do të ndodhin ndryshimet. Prandaj, sot nga këtu po ju njoftoj se menjëherë pas kongresit të rregullt që do të mbahet në fund të këtij viti, më së voni në fillim të vitit të ardhshëm, do të ketë një ndryshim të madh në parti dhe në Qeveri. Ata që tregojnë punën e tyre do të qëndrojnë, por unë do të përshëndes dhe falënderoj ata që nuk i përmbushin pritshmëritë e qytetarëve. Po e them tani, që të dihet dhe të dërgoj një mesazh se e vetmja gjë që ia vlen, gjëja më e madhe që njeriu mund të lërë pas është imazhi dhe nderi i tij. Dhe unë do të jap gjithçka për të siguruar që ajo të mbetet pjesa më e pastër e punës sonë. Këtë ia kemi borxh të gjithë njerëzve.Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi vend për të krijuar zhgënjime të reja mes njerëzve që janë djegur prej dekadash nga politikanë të ndryshëm të pandershëm dhe të korruptuar.

[Burimet: Faqja zyrtare e VMRO-DPMNE, profili FB i Hristijan Mickoski (nga minuta 59 e videos) – Data: 18.05.2025]


Kundërspini: Duke folur në një manifestim partiak – 20 vjetorin e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski theksoi se nuk ka kohë për të humbur, se Qeveria do të sanksionojë çdo devijim dhe prandaj do të falënderojë ata që nuk do të dallohen në punën e tyre. Mickoski bëri të ditur ndryshimet e mëdha në parti dhe në Qeveri menjëherë pas Kongresit të rregullt të VMRO-DPMNE-së, i cili është paraparë të mbahet në fund të këtij viti ose më së voni në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo deklaratë e tij, që ëshë spin, është problematike për dy arsye.Para së gjithash, Mickoski nga njëra anë thotë se nuk ka kohë për të humbur dhe për të bërë gabime të mëdha, se si kryeministër nuk do të tolerojë “mangesitë”, se vetëm ata që punojnë me përkushtim do të ruajnë pozitat e tyre, sepse “nderi dhe reputacioni” janë më të rëndësishmet. Por menjëherë më pas ai thotë se do t’ua dorëzojë “falenderimin” atyre që “kanë devijua” në fund të këtij viti ose në fillim të 2026-ës.

Pra, nuk do të jetë tani, por dënimi për “devijimin” mund t’i arrijë më së shpejti në nëntë muaj nga tani! Çka është e palogjikshme duke pasur parasysh se kryeministri thotë se nuk ka kohë për të humbur dhe as për gabime. Ata njerëz kanë gati një vit në detyrë, kryeministri ka pasur kohë të shohë nëse dhe sa të përkushtuar janë në këtë detyrë, ndaj nëse është vërtet i vendosur të mbajë vetëm më të mirët, më të përkushtuarit, më punëtorët, ata me rezultatet më të mira, mund ta bëjë menjëherë një përzgjedhje të tillë. Pse duhet të presë Kongresin e VMRO-DPMNE-së vitin e ardhshëm për t’i falënderuar ata që sipas tij “devijuan” dhe nuk po e kryejnë detyrën me “fytyrë të pastër”? Pse nuk e bëre menjëherë?

Kjo disi i ngjan një mesazhi politik të shumëanshëm përpara zgjedhjeve lokale. Votuesve u paraqitet një imazh se VMRO-DPMNE dhe lideri i saj janë të ndershëm dhe parimorë, se vetëm individë të zellshëm, punëtorë dhe përmbushës mund të mbajnë poste. Vetë zyrtarëve u thuhet se pas zgjedhjeve lokale do të vendoset nëse dikush do të mbetet në pozitën e tyre dhe po u dërgohen sinjale të qarta partnerëve të koalicionit në Qeveri se zgjedhjet lokale mund të sjellin një ndarje tjetër të tortës zyrtare. E thënë thjesht, do të ketë pazare nga të gjitha anët – si brenda radhëve partiake, ashtu edhe brenda koalicionit.

Është gjithashtu mjaft e habitshme që kryeministri do të vlerësonte “pamaturinë” e zyrtarëve dhe do të bënte një spastrim mbi këtë bazë. Është e paqartë se si do të vlerësojë Mickoski nëse ndonjë nga zyrtarët “ka devijuar” për ta falënderuar dhe se si nga perspektiva formale juridike (sipas cilit ligj) ky është kriter për humbjen e vendit të punës – pozitë në nivelet e larta apo të ulëta të pushtetit. Në fund të fundit, ai dhe partia në pushtet flasin gjatë gjithë kohës për shtet kushtetues, shtet ligjor dhe respektim të ligjit.

Le të themi se qeveria do t’i shkarkojë ata zyrtarë që ka emëruar, duke i besuar pa rezerva kryeministrit se ata “devijuan”. Por si ka ndërmend Mickoski të largojë zyrtarët e zgjedhur nga Kuvendi për shkak të “devijimit”? Është institucioni i dytë më i rëndësishëm në vend dhe sipas Kushtetutës duhet të kontrollojë Qeverinë (edhe pse fatkeqësisht te ne nuk është kështu në praktikë).Në këtë kuptim, neni 68 i Kushtetutës, ndër të tjera, përcakton se Kuvendi:

  • kryen zgjedhjet, emërimet dhe shkarkimet e bartësve të tjerë të funksioneve publike dhe të funksioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj;
  • ushtron kontroll dhe mbikëqyrje politike mbi Qeverinë dhe bartësit e funksioneve të tjera publike të cilët janë përgjegjës para Kuvendit

Pra, i pëlqen apo nuk i pëlqen Mickoskit, duhet ndjekur një procedurë e caktuar. Pavarësisht se partia e tij ka shumicën në Parlament, shkarkimi i një zyrtari nuk mund të bëhet vetëm në bazë të vlerësimit të “devijimit”; kjo do të duhej të shpjegohej, dhe Parlamenti do të duhej të debatonte dhe të merrte një vendim.

Së fundi, nuk i takon një kryeministri të bëjë kualifikime të tilla, të vlerësojë nëse një zyrtar ka “devijuar”, apo të kërcënojë me “tërheqje për veshësh”, siç ka bërë në disa raste deri më tani. Kjo tingëllon e papërshtatshme dhe pa shije. Në fund të fundit, të lë përshtypjen se dikush është i dehur nga pushteti, ndaj kërcënojnë me arrogancë në stilin “mund të bëj çdo gjë”.

Hristijan Mickoski HristianVertetmatës KundërspinVMRO-DPMNE