“Problemi me botën është se njerëzit e zgjuar janë plot dyshime, ndërsa të paditurit janë plot vetëbesim.”
Charles Bukowski
Çështja e qeverisjes dhe pjesëmarrjes politike janë nga më krucialet në jetën e njeriut dhe të shoqërisë. Filozofë e mendimtarë kanë dhënë ide të ndryshme për format më të mira të qeverisjes, nga demokracia, e cila është populiste, deri te epistokracia, me natyrë super-elitiste. Ndër shekuj, kërkimi për më të mirën, idealen shoqërore, ka bërë që nën llupë të vihen edhe aristokracia, oligarkia, teokracia, autokracia, gerontokracia… Ndërkohë roli i dijes në vendimmarrjen politike është nga temat qendrore në teorinë politike dhe shkencat sociale. Ideja e epistokracisë (epistocracy), nga episteme (dije) dhe kratos (sundim), sundim i të diturve, i elitave, burimin e ka te Platoni, i cili në veprën e tij Republika, argumenton se shteti duhet të udhëhiqet nga mbretërit filozofë apo urtarët.
Termi epistokraci është krijuar nga filozofi politik David Estlund. Ai e këtë shprehje e ka përdorur në vitin 2003 në esenë e tij “Why Not Epistocracy?” dhe më pas e ka shtjelluar më gjerësisht në librin e tij të njohur të vitit 2008, Democratic Authority. Estlund ka shqyrtuar një alternativë ndaj demokracisë ku fuqia vendimmarrëse u jepet “atyre që dinë”, “dijësve” (the knowers), megjithëse ai vetë argumenton në fund në favor të demokracisë. Sipas Estlundit, nëse dija është më e mirë se injoranca, pse të mos sundojnë të diturit?”. Ai këtë problematikë e quan “sfida epistokratike”.
Epistokracia është e kundërta e demokracisë që thotë se çdo qytetar ka të drejtë të votojë. Sipas epistokracisë, populli, votuesit karakterizohen nga një injorancë e thellë, gjendje kjo të cilën duhet kapërcyer; të drejtën për votë duhet ta gëzojnë vetëm të informuarit; teza është se votat duhet të maten sipas kompetencave, se ekspertët priren të jenë gjurmues më të mirë të së vërtetës sesa elektorati. (Goodin, 2018) Ndryshe është quajtur edhe knowledge-based rule, qeverisje e bazuar në dije. Edhe “demokracia” edhe “epistokracia” si teori i pranojnë të drejtat civile të të gjithë qytetarëve pavarësisht kompetencës së tyre. Në demokraci, çdokush gëzon të drejta politike (të drejtën për të votuar dhe për të kandiduar) që nga lindja, ndërsa në epistokraci, vetëm individët me njohuri politike mund t’i gëzojnë këto të drejta.
Sipas gjetjeve të psikologjisë politike, mbështetur në një gamë të gjerë dhe të larmishme studimesh, shumica e qytetarëve e përpunojnë informacionin politik në mënyra thellësisht të njëanshme, partiake dhe të motivuara, e jo në mënyra të paanshme dhe racionale. Pra masat popullore dominohen nga injoranca politike. Për këtë arsye disa teoricienë thonë se dijësit janë ata që duhet t’i marrin vendimet për të fatin e shoqërisë, jo masa. Sipas epistokratëve, të drejtat politike nuk janë të drejta të bashkëlindura, qytetari është i obliguar të njëjtat t’i fitojë. Pra, vetëm qytetarët kompetentë, të cilët janë në gjendje t’i mbrojnë pikëpamjet e tyre politike mbi baza të arsyeshme — për shembull, përmes përfundimeve logjike të qëndrueshme, të dhënave statistikore etj. — duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes kolektive. Epistokracia i detyron të gjithë qytetarët, përfshirë edhe politikanët, të jenë të ditur dhe konsekuentë në argumentet e tyre, si dhe t’i njohin të drejtat individuale të të gjithë njerëzve. (Huseynli, 2026)
Platoni thotë: ashtu si nuk do të hipnit në një anije ku timonierin e zgjedh shumica e pasagjerëve (që nuk dinë lundrim), as shteti nuk duhet të udhëhiqet nga dikush që nuk ka njohuri të thella mbi drejtësinë dhe të mirën publike. Dhënia e votës për të gjithë qytetarët i ngjan edhe dhënies së të drejtës për t’i grahur veturës çdokujt pa kaluar provimin e trafikut, pa pasur lejen apo liçencën për atë veprimtari. Personi që vozit pa leje mund ta dëmtojë individin dhe shoqërinë me veprimet e veta; ngjashëm me këtë edhe votuesi inkompetent, ia padijshëm mund të dëmtojë ardhmërinë e shoqërisë. Sipas këtij botëvështrimi politik, nuk duhet t’ua besojmë jetën tonë mjekëve, inxhinierëve, shoferëve apo mësuesve të pakualifikuar; po ashtu, nuk duhet t’i lejojmë ata të marrin vendime që kanë ndikim mbi ne. Atëherë, pse një votues i paaftë duhet të konsiderohet i besueshëm ose të ketë të drejtën e votës dhe të kandidimit për poste publike? Çfarë e dallon votimin nga fushat e tjera ku kompetenca konsiderohet kusht themelor? Kjo mbetet një ndër pyetjet më thelbësore dhe sfiduese, së cilës çdo demokrat duhet t’i përgjigjet. /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.