Kumanova dhe Likova e pësuan nga reshjet, shumë përmbytje dhe dëme (Video)

Reshjet e shiut mbrëmë kanë shkaktuar dëme të mëdha në Kumanovë dhe Likovë. Bodrumet e përmbytura, pemë të shkatërruara, dëme në bujqësi dhe dëme të ndryshme materiale janë vetëm disa nga pasojat që reshjet lanë pas, u ndërpre edhe energjia elektrike, shkruan Portalb.mk.

Likova u vërshua nga shiu

Banorët e Komunës së Likovës mbrëmë u përballën me situatë të vështirë të motit. Uji ka hyrë në shumë shtëpi, duke dëmtuar pronat, mbjellat si misri, shalqiri, domatet e shumë prodhime të tjera bujqësore.

“Jemi të shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin tonë por edhe për të ardhurat tona për ne bujqit, sepse mbjellat që i kemi pasur janë dëmtuar dhe nuk besoj se kemi me pasur bereqet dhe të ardhura nga këto prodhime. Rrugët janë bërë të pakalueshme dhe furnizimi me energji elektrike është ndërprerë kohë pas kohe. I bëjmë thirrje autoriteteve që të ndërmarrin masa të për të na ndihmuar në përballimin e kësaj situate dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme”, tha Zaim Memedi, nga fshati Sllupçan.

Një tjetër banor nga fshati Llopat, tregoi se për shkak të reshjeve të shiut të fuqishëm kanë prekur edhe fshatin e tyre.

“Dëmet janë gjithandej, kanalizimi nuk funksion, rrugët nuk, funksionojnë, fshati nuk funksion ,rryma nuk funksion, bujqësia është e shkatërruar shumë, shteti këtu nuk funksion, kemi bujqve që punojnë natë e ditë, punojnë me financat e tyre dhe kanë shumë pak të ardhura, Ministria e Bujqësisë vetëm del për deklarata dhe nuk ndihmojnë aspak”, tha Ametqani Sulejmani.

Situatë e rëndë edhe në Kumanovë

Po ashtu, mbrëmë në qytetin e Kumanovës ka pasur përmbytje në disa shtëpi, oborret dhe bodrumet janë mbushur me ujë.

“I kemi bërë thirrje ekipeve të zjarrfikëseve, ujëmatësit dhe qendrës së krizës i kemi telefonuar të gjithë, më kanë thënë nuk kemi ekip, nuk kemi pompa për me tërheq ujin, nuk kanë ardhur dhe nuk janë paraqitur në kohë. I kemi telefonuar vazhdimisht, unë personalisht kam marrë numra tjerë të punëtorëve që kanë qenë, na kanë thënë se nuk kemi ekip nuk mundemi me ardhur, nesër dalim të shohim vetëm për dëmet që janë bërë. Asnjë nuk ka ardhur d.m.th. nuk iu përgjigjen ftesës tonë në momentin kur ka ndodhur kriza, dhe nuk ka kanë ofruar aspak ndihmë”, tha Nerimane Rrustemi nga Kumanova.

Autoritetet mundohen të ndihmojnë

Nga Komisioni për Fatkeqësi Natyrore të Komunës së Likovës, për Portalb.mk treguan se janë në teren nga data 21 maj 2024, që kur filluan reshjet e para në terrenin e komunës, po ashtu edhe me 23 qershor 2024 ka pasur reshje të shiut, dhe dëme në fshatin Nikushtakë, Ropalcë dhe Vishticë.

“Në Komunën e Likovës më së shumti ka pasur dëme, në kulturat bujqësore, në ato materiale në vetura dhe nëpër shtëpia, dëmet janë të mëdha, ne për momentin jemi duke punuar në teren, bujqit të cilët nuk i kanë dokumentet me noter, për shfrytëzimin e tokës, nuk pranohen pa dokumtancione. Presim vendim pozitiv nga Qeveria, që ti shpërblejë bujqit, që me të vërtetë kanë dëme të mëdha, se bujqit e kanë ekzistencë se ruajnë familje prej kulturave”, tha Nevzad Asipi, kryetari i Komisioni për fatkeqësi natyrore të Komunës së Likovës.

Komuna e Likovës njoftoi se Këshilli i Komunës nesër ka caktuar seancë tjetër të jashtëzakonshme ku do diskutohet mbi këtë temë dhe do të merren vendime të rëndësishme.

Ndërsa, nga Qendra Rajonale e Menaxhimit me Kriza të Kumanovës bëjnë të ditur se që nga stuhia që ka përfshirë territorin e komunës së Kumanovës me reshje të dendura të shiut në 112, në Qendër janë pranuar numër i madh i raportimeve për rënie të pemëve dhe vërshime të rrugëve në disa lagje, si dhe zona të përmbytura, oborre, bodrume.

Kryetari i Komunës së Kumanovës Maskim Dimitrievski, në një postim në facebook u bënë thirrje qytetarëvë që kanë pësuar dëme, të paraqiten në Shtabin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se në 24 orët e fundit kanë pranuar 2388 thirrje në lidhje me reshjet dhe zjarret.

Përveç se në Kumanovë dhe Likovë, dëme të mëdha ka edhe në Tetovë dhe Shkup.

Komuna e KumanovësKumanovaLikovaPërmbytje - Vërshime