KSHZ: Zgjedhjet e dyfishta do të kushtojnë gati 17 milionë euro, nga të cilat mbi 10 milionë euro janë për reklama politike me pagesë

Zgjedhjet e dyfishta, të cilat do të mbahen në prill dhe maj të këtij viti, do t’i kushtojnë shtetit pothuajse 17 milionë euro, nga të cilat gjashtë milionë euro do të përdoren për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe për përgatitjet që kanë të bëjnë me realizimin e zgjedhjeve dhe mbi dhjetë milionë euro do të përdoren për reklama politike me pagesë, tha nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, në seancën e sotme të 75-të, ku u votuan gjithsej 22 pika të rendit të ditës, transmeton Portalb.mk.

“Mbi 390 milionë denarë ose gjashtë milionë euro do të shkojnë për organizimin e zgjedhjeve, sigurimin e materialit konfidencial dhe jokonfidencial, transportin, kompensimin monetar për organet zgjedhore, përkatësisht anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore, këshillat zgjedhorë, ndërsa për reklama politike me pagesë për zgjedhjet e dyfishta janë planifikuar 656 milionë denarë ose mbi dhjetë milionë euro”, tha Shehu.

Pjesa më e madhe e mjeteve që do të shpenzohen, sipas saj, i takojnë pjesës së reklamave politike me pagesë, pra pagesës për media.

“Do të theksoj se sa mjete do të shpenzohen për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, sepse për zgjedhjet presidenciale do të përdoren më shumë mjete në pjesën e reklamave politike me pagesë, sepse në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje u takojnë dy euro për votues të regjistruar, përsëris edhe një herë votuesi të regjistruar në listën zgjedhore. Po ashtu nga një euro kandidatët që do të jenë në raundin e dytë, edhe një zgjedhës të regjistruar. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare nga dy euro për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, edhe për votuesit e regjistruar. Më lejoni të them këtu se nga fondet totale që kërkuam nga Ministria e Financave, të gjitha fondet na janë dhënë, na mungon vetëm pjesa e reklamave politike me pagesë, ku ramë dakord me vetë ministrin e Financave që këto fonde do të plotësohen më vonë, sepse fondet e paguara për reklamat politike paguhen 30 ditë pas përfundimit të rezultateve. Kjo nuk do të ndikojë dhe nuk do të kemi probleme gjatë organizimit të zgjedhjeve”, thotë ajo.

Ajo theksoi se aq sa kanë kërkuar mjete financiare janë miratuar për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Nënkryetarja e KSHZ-së, Shehu, në pikën e fundit 22, ka thënë se opinioni është i interesuar për pjesën e identifikimit të votuesve dhe nëse KSHZ-ja është e gatshme për organizimin e zgjedhjeve të dyfishta, kështu që në atë pjesë ka treguar edhe se KSHZ-ja, anëtarët dhe punonjësit e saj prej një viti po përgatiten që zgjedhjet e dyfishta të zhvillohen në një atmosferë të drejtë, demokratike dhe të jenë të sigurt.

“Së fundmi në opinion është ngritur një pyetje nëse identifikimi do të jetë me gjurmë gishtash. Nuk e kuptova pse po bëhet kjo pyetje tani, kur sipas Kodit Zgjedhor thuhet qartë se si bëhet identifikimi i zgjedhësve. Pra, identifikimi i votuesve do të bëhet me gjurmë gishtash, i cili u miratua dhe u fut në ligj në vitin 2020. Por pastaj lexova në portale të caktuara se jam përmendur nga parti të caktuara politike, se përfaqësuesi i BDI-së, të mos them kundër, ka shkaktuar probleme në KSHZ dhe nuk ka dashur të identifikohet me gjurmë gishtash. Këtu jeni ju kolegë sepse nuk e kam thënë në ndonjë seancë dhe ju jeni në dijeni dhe i dëgjoni të gjitha seancat, siç thashë edhe më parë, janë publike dhe mund të konfirmoni nëse është diskutuar ndonjëherë për këtë temë. KSHZ-ja i merr vendimet në përputhje me ligjin. Demanti më i madh është kur njeriu flet me fakte dhe vepra”, tha Shehu.

Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)Zgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje parlamentare/lokaleZgjedhje presidenciale RMV 2024