Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se zyrat e tij në Gazë janë dëmtuar prej bombardimeve, të cilat kanë vrarë 22 njerëz të strehuar në afërsi të atyre ambienteve, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Predha të kalibrit të rëndë kanë rënë disa metra larg zyrave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në pasditen e së premtes”, ka thënë kjo organizatë përmes një deklarate.
Në të është thënë se të gjitha palët kanë obligim të marrin masa për të shmangur dëmet në civilë dhe zona humanitare.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i ka thënë transmetuesit britanik BBC se hetimet fillestare tregojnë se “nuk ka tregues” që është kryer sulm në atë zonë, por që po kryhen hetime.
“Sulmi ka dëmtuar strukturën e zyrës së Kryqit të Kuq, e cila është e rrethuar me qindra civilë të pastrehë që po jetojnë në tenda, përfshirë shumë kolegë palestinezë”, ka thënë Kryqi i Kuq.
Sipas organizatës, 22 njerëz janë vrarë dhe 45 të tjerë janë të plagosur.
Ajo ka thënë se ky incident i rëndë është vetëm njëri prej disave në ditët e fundit.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka raportuar për shifra tjera, duke thënë se 25 njerëz janë vrarë dhe 50 janë plagosur, dhe fajtor e ka bërë Izraelin.
Ushtria izraelite ka nisur fushatë ushtarake për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – pas sulmit të pashembullt të militantëve të grupit, në jug të Izraelit, më 7 tetor.
Në atë sulm janë vrarë rreth 1.200 izraelitë dhe janë marrë peng mbi 240 të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë deklaron se prej nisjes së luftës janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.