Kryetari i Ohrit, Pecakov, nuk e ka përmbushur premtimin për blerjen e objektit lundrues për pastrimin e liqenit

Kryetari i Komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, në programin e tij parazgjedhor para zgjedhjeve lokale të vitit 2021, të titulluar si “Ne garantojmë për Ohrin, krijo një të ardhme të re”, premtoi se do të blihet një objekt i posaçëm lundrues për pastrimin e mbeturinave në liqenin e Ohrit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Premtimi është shkruar në rubrikën për mbrojtjen nga ndryshimet klimatike dhe mjedisin jetësor, ku thuhet se “dokumentacioni urbanistik cilësor mundëson mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor, ndërsa rregullimi i hapësirës dhe planifikimi i saj në marrëveshje me qytetarët krijon një imazh më të sofistikuar të Komunës dhe mundëson shfrytëzimin e duhur hapësinor”.

Në faqen 26 shkruhet se me këtë projekt i konfirmojnë përpjekjet për një qytet të pastër, aq më tepër që Ohri dhe Liqeni i Ohrit janë nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe përfaqësojnë një pasuri kulturore botërore.

Në program thuhet:

“Menaxhimi me mbeturinat është një problem serioz dhe për këtë arsye blerja e një objekti të posaçëm lundrues për pastrimin e liqenit të Ohrit nga mbeturinat imponohet si një domosdoshmëri dhe prioritet i yni. “

Sipas përgjigjeve që i morëm nga kabineti i kryetarit, konstatojmë se ky premtim nuk është realizuar.

Për Meta.mk nga kabineti i kryetarit thonë se programi parazgjedhor i kryetarit Kirill Pecakov po realizohet sipas dinamikës së paraparë, por se projekti për blerjen e një objekti lundrues për pastrimin e liqenit nuk është realizuar.

Megjithatë, thonë se deri në fund të mandatit ai do të realizohet, që do të thotë deri në vitin e ardhshëm.

“Projekti në fjalë ende nuk është realizuar, ndërsa sipas dinamikës së realizimit pritet të realizohet deri në fund të mandatit të kryetarit të komunës”, theksojnë nga atje.

Ata gjithashtu shtojnë se deri në fund të mandatit të kryetarit të komunës Kirill Pecakov pritet një përqindje e lartë e realizimit të programit.

Sipas të gjithë asaj që u tha më sipër konkludojmë se ky premtim ende nuk është realizuar.

Komuna e OhritMeta.mkOhriPortalb Fakt - Premtime parazgjedhore