Kryetarët e Kryeqyteteve Evropiane të Kulturës për vitin 2025 nesër do të vizitojnë Shkupin

Të mërkurën, më 15 prill, përfaqësues të autoriteteve lokale nga Chemnitz (Gjermani), Gorizia (Itali) dhe Nova Gorica (Slloveni) do të vizitojnë Shkupin për një sërë aktivitetesh të përbashkëta me Qytetin e Shkupit, që synojnë ndarjen e përvojës në lidhje me titullin Kryeqytet Evropian i Kulturës (ECoC), të cilin Shkupi do ta mbajë në vitin 2028, transmeton Portalb.mk.

Programi do të fillojë në orën 10:00 me një Takim të Nivelit të Lartë të organizuar në Qytetin e Shkupit, duke u ofruar kryetarëve të komunave pjesëmarrëse një mundësi për të shkëmbyer mendime rreth mundësive dhe sfidave të mbajtjes së Kryeqytetit Evropian të Kulturës.

Më pas, Pjesëmarrësit do të bëjnë një shëtitje simbolike nëpër qytet, nga Ura e Goce Dellçevit deri në Europe House në Shkup.

Hapja zyrtare e sesionit të punës do të zhvillohet në Europe House në Shkup (12:00–12:30) me fjalë rasti nga:

  • Ben Nupnau, i Ngarkuar me Punë Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian
  • Orce Gjorgjievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit
  • Samo Turel, Kryetar i Nova Goricës
  • Rodolfo Ziberna, Kryetar i Gorizias
  •  Josephine Hage, Chemnitz – Kryeqyteti Evropian i Kulturës

Pas hapjes do të vijojë një punëtori teknike (12:30–14:30), ku përfaqësuesit e ECoC-ve për vitin 2025 do të shkëmbejnë praktikat më të mira me ekipin organizator të Shkupit për vitin 2028.

Vizita do të përfundojë me hapjen e ekspozitës “Frymëzim”, me fotografi nga Kryeqytetet Europiane të Kulturës për vitin 2025, në Muzeun e Qytetit të Shkupit në orën 18:00. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun, pa pagesë, nga 15 deri më 26 prill 2026.

Bashkimi Evropian (BE)Delegacioni i Bashkimit Evropian në RMVEurope House - ShkupKulturë lajmeQyteti i Shkupit